Antonio Costa

Kosova & Rajoni

Presidenti i Këshillit Evropian viziton sot Kosovën

14 Maj, 09:02| Përditesimi: 14 Maj, 09:06

  • Share

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do ta vizitojë Kosovën të mërkurën.

Gjatë pasdites, ai do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Costa e viziton Kosovën në një kohë kur ligjvënësit kosovarë nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt, edhe pas 15 përpjekjeve. Qeveria e Albin Kurtit është ende në detyrë, deri në formimin e një qeverie të re pas konstituimit të Kuvendit.

Po ashtu, kjo vizitë zhvillohet në një kohë kur liderët kosovarë po shtojnë thirrjet drejtuar Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura pas tensioneve në veri të vendit. Këto masa mbeten ende në fuqi, me arsyetimin se Kosova nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në komunat me shumicë serbe.

Costa një ditë më parë qëndroi në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë.

Gjatë një konference për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, Costa theksoi se dialogu me Kosovën është kyç për anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe shtoi se është po aq i rëndësishëm edhe qëndrimi i qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Për sa i përket vizitës së Vuçiqit në Moskë për festën e Ditës së Fitores, pavarësisht mesazheve nga Brukseli që i kërkonin të mos shkonte, Costa tha se Vuçiç ia shpjegoi atij se shkoi për të festuar një ngjarje historike.

"Nuk mund ta ndryshojmë historinë, e kuptoj plotësisht, që Serbia feston çlirimin, por nuk mund ta festojmë këtë pa dënuar invazionin aktual në një shtet tjetër", tha Costa.

Në Sarajevë, ai shprehu shqetësim për, siç i quajti, “veprimet ndarëse të Republikës Sërpska”, duke i cilësuar ato si kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Bosnjë e Hercegovinës.

Pas Kosovës, ai do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut, si dhe Shqipërinë, ku do të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Liderët e BE-së zgjodhën portugezin Antonio Costa si president të Këshillit Evropian, detyrë të cilën e mori më 1 dhjetor 2024./REL

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A do ndikojë vota diasporës në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve?