Ylli i Lazios Sergei Milinkovic-Savic me shumë gjasa do të largohet nga Evropa në moshën 28-vjeçare, kur karriera e tij duhej të kishte arritur kulmin. Asgjë nuk do të vijë nga një transferim në një nga klubet më të mëdha në Evropë, pasi Milinkovic-Savic iu 'nënshtrua' milionave të Al Hilal në Arabinë Saudite, ku mund të fitojë deri në 100 milionë euro gjatë kohëzgjatjes së kontratës për tre vite.
Presidenti i Lazios, Claudio Lotito ka folur publikisht se sa shumë dëshiron futbollisti që të nënshkruajë këtë kontratë, duke e paraqitur serbin në një kontekst negativ.
"Nëse dikush dëshiron të shkojë në Arabinë Saudite, motivi i parë dhe kryesor janë paratë. Kjo ndoshta është e qartë për të gjithë. Çfarë duhet të bëjmë nëse dikush dëshiron të largohet kaq shumë nga klubi? Unë kam një marrëdhënie të mirë me Sergejn dhe në fund ai vendos. Më telefonoi dhe më lutej që ta pranoja këtë ofertë. Ai do të fitojë shumë para dhe prandaj dëshiron të shkojë atje”, tha Lotito , i cili nuk e kupton këtë vendim të mesfushorit.
Nëse Lazio pranon të shesë serbin, në arkat e klubit do shkojnë 40 milionë euro, me Savic që ka edhe një vit kontratë me klubin nga Serie A.