Zgjedhja e Presidentit të ri të vendit është bërë edhe më e “nxehtë” që pas daljes së emrave të parë të përfolur nga opozita gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të mbajtur gjatë ditës së sotme. Për të diskutuar për këtë çështje ishte i ftuar analisti Adri Nurellari në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj më Report Tv.
I pyetur për kandidatët e dalë nga opozita për kreun e ri të shtetit, Nurellari u shpreh se emra të tillë mund të jenë më konsensual pasi janë të larguar nga politika konfliktuale, por duhet parë dhe vullneti i mazhorancës pasi sipas tij ‘topi’ është në fushën e saj.
“Janë figura të njohura dhe njihen si personalitete të moderuara, premisat janë që këta persona të arrijnë më shumë konsensus pasi janë të larguar nga një angazhim konfiktual politik por duhet parë një vullnet nga ana e mazhorances për të siguruar një marrëveshje paraprake.
Është lajm i mirë që ka konsensus brenda opozitës, opozita nuk po e humbet këtë mundësi që ta vëri para përgjegjësisë në një farë mënyre mazhorancën se nëse do të kishte një bojkot do ishte një fitore e shumëfishtë për kryeministrin. Topi është në anën e mazhorances, opozita e vë barrën morale të provës nga ana e mazhorances”, tha ai.
I pyetur për fraksionet brenda PD-së, Nurellari u shpreh se ka një mungesë të theksuar bashkëpunimi mes palëve në PD.
“Të dy fraksionet në PD po e përdorin procesin për të treguar dhe legjitimitetin në PD. Në këtë fazë palët duhet të kishin bashkëpunuar dhe të ishin bashkuar, duket një mungesë e mirëfilltë vullneti për të siguruar një bashkëqeverisje të PD. Procesi i zgjedhjes së presidentit po shërben si një katalizator për të ndezur konfliktin e brendshëm dhe jo për ta mbyllur”, tha ai.
Përsa i përket ndarjes së PD dhe heshtjes së shumicës së deputetëve ai tha se nuk e kupton heshtjen e tyre dhe kjo tregon një përfaqësim të ulët të PD.
“Çuditem se si një grup i madh deputetësh nuk po mbajnë anë. Politikanët nuk janë për të heshtur por për të mbajtur pozicione. Është e pandershme të shkosh nga fryn era dhe kjo tregon një cilësi të ulët të përfaqësimit të Partisë Demokratike sepse shumica e deputetëve nuk ka kurajo të mbajnë një qëndrim të qartë për të dalë nga kjo situatë.
Shumica e PD nuk është e përfaqësuar dhe këtë e treguan edhe dy kuvendet, në opinion tim asnjëra palë nuk e kishte shumicën. Fraksioni i Berishës është më i fuqishëm dhe kjo u tregua dhe në 6 Mars por duke parë pjesëmarrjen e anëtarëve të PD duket qartë se ata duan një palë të tretë. Demokratët duan një ofertë të re politike që të ofrojë një alternativë të re dhe të besueshme”, mbylli komentin e tij analisti Nurellari.
Në mbledhjen e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj grupi i PD-së doli me 8 propozime për kreun e ri të shtetit ku ndër to binin në sy figura të njohura si Dashamir Shehi, Visar Zhiti, ish ministri Dritan Demiraj apo Princ Leka.
Raundi i ardhshëm për zgjedhjen e presidentit do të mbahet me do të mbahet me datë 23 Maj në orën 18:00.