Ilir Meta dhe Bajram Begaj

Ilir Meta takohet me presidentin e zgjedhur Bajram Begaj në Pallatin e Brigadave: I uroj suksese në detyrën e lartë! Vetëm Berisha nuk e takoi kreun e ri të shtetit

10 Qershor 2022, 13:37| Përditesimi: 10 Qershor 2022, 14:38

  • Share

Ilir Meta ka takuar presidentin e zgjedhur Bajram Begaj në ambientet e Pallatit të Brigadave duke i uruar suksese në detyrën e lartë që do të marrë më 24 korrik. 

“Kënaqësi të prisja sot Presidentin e zgjedhur, Bajram Begaj dhe t'i uroja sërish suksese në detyrën e lartë, që e pret në interes të vendit dhe të gjithë qytetarëve”, shkroi Meta. Pas takimit me Metën, i vetmi ish president me të cilin nuk është takuar Begaj është Sali Berisha. Ish kryeministri e komentoi sot duke thënë se është normale që presidenti i zgjedhur nuk kërkon takim me të sepse nuk kërkon këshilla prej tij.

Ditën e djeshme Bajram Begaj zhvilloi takime me ish-krerë të shteteve, për të marrë këshilla nga eksperienca e tyre. Begaj u takua me ish-presidentin Alfred Moisiu, Bamir Topin si dhe me Rexhep Mejdanin. Takimi zgjati përreth një orë dhe u zhvillua në ambientet e Pallatit të Brigadave. Ndërkohë që i vetmi që Begaj nuk ka preferuar ta takojë nga paraardhësit e tij është Sali Berisha i cili është shprehur kundër zgjedhjes së tij, madje edhe duke hedhur akuza të rënda. 

Në një prononcim për Report Tv, Topi tha se takimi ishte miqësor dhe se pa premisa për një presidencë dinjitoze në 5 vitet e ardhshme. Në takim, sipas Topit u diskutua për situatën në rajon, luftën në Ukrainë si dhe për nevojën për forcimin e marrëdhënieve dhe aleancave euro-atlantike.

Ky nuk është takimi i parë që presidenti i zgjedhur zhvillon me ish-krerët e shtetit. Kjo pasi pak ditë më parë pati një takim me –ish presidentin Alfred Moisiu, i cili i dhuroi presidentit të zgjedhur edhe librin e tij ‘Midis Nanos dhe Berishës’. Begaj e vlerësoi Moisiun, si një burrë të urtë e patriot, i cili tashmë i përket historisë së vendit si president i të gjithëve.

Bajram Begaj, mori besimin e shumicës së deputetëve në Kuvend për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Në seancën parlamentare të 4 qershorit 2022, Begaj u zgjodh president i ri i Shqipërisë me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim (83 deputetë morën pjesë në votim). Grupi i deputetëve të Enkelejd Alibeajt dhe Sali Berishës bojkotuan procesin, teksa nga opozita morën pjesë Mesila Doda, Shpëtim Idrizi, Nusret Avdullai nga PDIU, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili, Erisa Xhixho nga LSI dhe tre deputetë të PSD, Gertjan Deda, Gledis Çeliku dhe Meri Markiçi. Bajram Begës i duheshin 71 vota në këtë raund të katër, teksa ai arriti që të merrte 7 vota më shumë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?