Presidenti Ilir Meta ka dekoruar piktorin Avni Delvina. Në një postim në rrjetet sociale, Meta e cilëson piktorin Delvina, si një një artist me një kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm në fushën e artit, por në veçanti edhe në jetën shoqërore të vendit.
‘Me mirënjohje ndaj veprimtarisë artistike dhe kontributeve të çmuara rreth çështjeve me ndjeshmëri të lartë dhe jetike për qytetarët shqiptarë dhe demokracinë tonë i akordova Avni Delvinës Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.’- shkruan Meta.
Postimi i plotë
E posaçme kënaqësia, që së bashku me dhjetëra artistë, intelektualë dhe personalitete të njohura në mbrojtje të interesit publik dhe kombëtar, të vlerësoja sot një artist me një kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm në fushën e artit, por në veçanti edhe në jetën shoqërore të vendit, piktorin Avni Delvina.
I nderuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare, veprat, punimet dhe krijimtaria e tij kanë fituar një famë të merituar jo vetëm në Shqipëri dhe Itali, por kanë kaluar edhe kufijtë europianë, duke e shndërruar në një ambasador të vërtetë të traditave, zakoneve, historisë, artit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Gjithmonë në shërbim të kauzave më të rëndësishme të vendit dhe kombit, vitet e fundit piktori Delvina, nëpërmjet qindra punimeve, ka spikatur me fuqinë shprehëse të zërit të tij kritik kundër padrejtësive dhe abuzimeve me pushtetin. Nisur nga ndjenja atdhetarie dhe dashurie për artin dhe kulturën shqiptare, ai u rreshtua fort që në nisje të kauzës në mbrojtje të Teatrit Kombëtar dhe në mbështetje të artistëve jokonformistë dhe qytetarëve që dolën kundër shembjes së pabesë të kësaj godine historike.
Me mirënjohje ndaj veprimtarisë artistike dhe kontributeve të çmuara rreth çështjeve me ndjeshmëri të lartë dhe jetike për qytetarët shqiptarë dhe demokracinë tonë i akordova Avni Delvinës Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.