Kultura
Drejt Punës

Presidenti italian dekoron Olen Cesarin me titullin Komendator i Urdhrit të Yllit të Italisë! Video nga festa, violinisti 'detyron' ambasadorin Fabrizio Bucci të këndojë  

11 Tetor 2021, 22:47| Përditesimi: 13 Tetor 2021, 10:31

  • Share

Presidenti i Italisë Sergio Mattarella ka dekoruar mjeshtrin virtuoz të violinës Olen Cesari me titullin “Komendator i Urdhrit të Yllit të Italisë” me motivacionin si një artist italo -shqiptar me vlera të rralla, i konsideruar si një nga violinistët më të mëdhenj  botërorë, si kompozitor eklektik dhe virtuoz  në violinë  dhe një artist i jashtëzakonshëm, interpretues absolut i tingullit dhe zotërues me vlera të rralla i instrumentit.

Në motivacionin e kësaj dekorate shkruhet se Olen Cesari është një artist i përmasave  botërore me talentin  e tij, që beson fort se muzika është universale dhe sjell paqe, miqësi dhe vëllazërim mes popujve.

Këtë ai e konfirmon me dashurinë e madhe që ka për kulturën italiane me projektet e vazhdueshme që bën, jo vetëm në vendin ku jeton në Itali, por edhe në botë duke u prezantuar më së miri si një model i integrimit të shqiptarëve në Itali. 

Dekorata iu dorëzua artistit shqiptar nga ambasadori i Italisë në Tiranë Fabrizio Bucci në një ceremoni ku ishin të pranishëm personalitete të vendit, artistë të shquar dhe diplomatë.

Ishte e pranishme edhe ambasadorja amerikane Juri Kim, ministrja e Kulturës Elva Margariti, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, artistë njohur, si e madhja Inva Mula, Kastriot Tusha, Mirush Kabashi, Marsela Cibukaj, etj.

E pranishme ishte edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, etj

Ambasadori i Italisë z. Bucci u shpreh i kënaqur që Olen Cezari është një artist italo- shqiptar i nivelit botëror  dhe prej vitesh në Itali jetojnë dhjetëra artistë shqiptarë që u edukuan bashkë me artistët italianë dhe janë sot të nivelit më të lartë europian.

Olen Cesari ka lindur në vitin 1975 në Durrës, Shqipëri. Ai lindi në një familje artistësh, duke pasur nënën instrumentiste dhe mësuese violine.

Që në moshën 5-vjeçare u cilësua si fëmija “gjeni” në violinë. Nëna e tij edhe mësuese violine për të, ka qenë shumë rigoroze dhe e ushtroi violinistin e vogël që të jepte koncert virtuoz që në moshën 7-vjeçare ku ka dhënë  koncertin e tij të parë recital në teatrin "Aleksandër Moisiu".

Më pas shteti shqiptar e dërgoi në Romë të vazhdonte studimet për violinë dhe në moshën 18-vjeçare Olen Cesari kishte mbaruar 3 konservatorë: një në Shqipëri, një në Itali, dhe një në Austri.

Sot ai është një nga instrumentistët më të mirë botëror.

Olen Cesari është edhe një organizator, moderator dhe improvizues i shkëlqyer koncertesh.

Ishte ai që e mbylli ceremoninë e dekorimit me interpretime të bukura së bashku me artistët Inva Mula, Mirush Kabashi, Marsel Cibukaj, etj, duke arritur që në kulmin e koncertit të improvizuar mjeshtërisht, “ta detyronte” edhe ambasadorin italian Fabrizio Bucci që të këndojë. 

 

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?