Sergio Mattarella

Bota

Presidenti italian shtrohet në spital, i nënshtrohet një operacioni në zemër! Ndërhyrja për vendosjen e një stimuluesi kardiak

16 Prill, 08:20| Përditesimi: 16 Prill, 08:38

  • Share

Presidenti italian, Sergio Mattarella ndodhet i shtruar prej pasdites së të martës në spitalin “Santo Spirito” në Romë, ku i është nënshtruar një operacioni për vendosjen e një stimuluesi kardiak. Sipas La Repubblica, ndërhyrja kirurgjikale ishte planifikuar dhe gjendja e presidentit italian paraqitet e mirë. 

Lajmi për shtrimin në spital të presidentit italian u bë me dije në orët e mbrëmjes. Mattarella vijoi aktivitetet e tij deri në momentet e fundit përpara shtrimit në spital. Ai priti në pallatin presidencial gazetarin dhe politikanin Gianni Letta-n si edhe presidentin e Malit të Zi, Millojko Spajiç. Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, u publikua edhe një letër që ai u kishte dërguar presidentëve të dy dhomave të Parlamentit dhe kryeministres Giorgia Meloni, me propozime për ndryshime në ligjin “Morandi”.

Edhe pse 83 vjeç dhe prej dhjetë vitesh në detyrë, presidenti Mattarella është shfaqur në formë të shkëlqyer në daljet e tij të fundit publike, përfshirë edhe takimet me mbretin Charles dhe vizitën në Ravenna. Ai kishte planifikuar të kalonte Pashkët në qytetin e tij të lindjes, Palermo, dhe kjo mbetet ende e mundur pas operacionit të suksesshëm.

Kryeministrja Giorgia Meloni, presidenti i Senatit Ignazio La Russa, kryetari i Dhomës Lorenzo Fontana, si dhe figura të tjera politike Carlo Calenda, Matteo Renzi, Giuseppe Conte, Elly Schlein dhe Riccardo Magi i uruan presidentit shërim të shpejtë dhe kthim të shpejtë në detyrë.

“Italia e pret së shpejti, me forcën dhe përkushtimin e përhershëm”, shkroi në rrjetet sociale kryeministrja Meloni teksa i uroi shërim të shpejtë.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?