Një vit e gjysmë pasi shkeli për herë të parë tokën shqiptare, në të parën vizitë të një presidenti francez në vendin tonë, Emmanuel Macron rikthehet në Shqipëri.
Vizita zyrtare e Macron do të jetë në mes të muajit maj, në ditët kur në Tiranë zhvillohet edhe Samiti i komunitetit Politik Evropian, në të cilin do të marrin pjesë liderët më të rëndësishëm të Evropës.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Jashtëm Igli Hasanin, në përfundim të takimit të sotëm me ministrin francez për Europën Benjamin Haddad, misioni i të cilit ndër të tjera është dhe përgatitja e vizitës së dytë të presidentit francez.
“Kjo vizitë parapri ndër të tjera edhe vizitën dypalëshe të Presidentit Macron në Shqipëri që do të zhvillohet në muajin maj”, tha Hasani.
Hasani tha se shpreson që Franca të vijojë të jetë një aleate e fortë në rrugën e integrimit.
"Që të vazhdojmë të kemi këtë mbështetje, veçanërisht për mbajtjen e Konferencës së Katërt Ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë, e cila urojmë të zhvillohet në ditët në vijim, sikurse edhe për hapjen e kapitujve të tjerë të mbetur brenda 2025-s deri në arritjen e objektivit tonë të qartë si kristali: mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027", shtoi ai.
Emmanuel Macron për herë të parë Shqipërinë erdhi në një vizitë historike më 16 tetor 2023, kur u prit nga kryeministri Rama e presidenti Begaj ndërsa dekoroi shkrimtarin e ndjerë Ismail Kadare me nderimin më të madh që Parisi i kulturës jep: “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”.
Kjo vizitë historike e Macron u pasua nga vizita zyrtare e kryeministrit Edi Rama në prill të vitit të shkuar, ku u prit me nderimet më të larta shtetërore.
Komente
