Presidenti i Republikës Ilir Meta ka përcaktuar datën 4 dhjetor për të hedhur shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), që do të funksionojë përgjatë vitit 2021.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat Presidenca bën me dije se është “parashikuar që, momenti i hedhjes së shortit të ketë mbulimin e nevojshëm mediatik, si dhe ka marrë të gjitha masat që ky proces t’i nënshtrohet plotësisht parimeve të transparencës, gjurmueshmërisë dhe monitorimit, dhe të bëhet e mundur ndjekja live dhe në kohë reale e procesit”.
Presidenti Meta njofton Avokatin e Popullit që të jetë i pranishëm në proces. Gjithashtu në njoftimin e Presidencës bëhet me dije duke mbajtur në konsideratë nevojën për respektimin e protokolleve shëndetësore dhe rregullave për shkak të situatës pandemike Covid-19, Presidenti i Republikës fton Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të jenë të pranishëm në momentin e hedhjes së shortit përmes një përfaqësuesi të caktuar prej tyre.
Këshilli i Emërime në Drejtësi është institucion kyç për ecurinë e procesit të bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese.
Kujtojmë se pak ditë më parë ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së, Yuri Kim dhe Luigi Soreca, kanë zhvilluar një takim me kreun aktual të e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vitore Tusha. Theksi është vendosur tek domosdoshmëria që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale brenda 31 dhjetorit.
\