David McAllister dhe Ilir Meta

Presidenti Meta takon McAllister: Ka rëndësi parësore çelja e negociatave! Duhet përmirësim urgjent i integritetit të zgjedhjeve dhe luftës ndaj korrupsionit

24 Maj 2022, 11:26| Përditesimi: 24 Maj 2022, 11:46

  • Share

Presidenti Ilir Meta është takuar me delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian të drejtuar nga kryetari David McAllister, me të cilin ka folur për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Meta thotë se i bëri të qartë se shqiptarët besojnë tek projekti europian për të ardhmen e tyre më të mirë.

“I falenderova për rikonfirmimin e mbështetjes ndaj perspektivës për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, veçanërisht në kushtet kur rajoni ynë gjendet nën presionin e pasojave të argesionit të paprovokuar rus kundër Ukrainës. I sigurova se shqiptarët vazhdojnë të besojnë tek projekti europian, i alternativën e tyre më të mirë dhe të vetme për një të ardhme të paqtë e të begatë. Vlerësova qasjen realiste që Parlamenti Europian ka ndaj situatës në Shqipëri, duke mbështetur plotësisht shqetësimet serioze të adresuara në rezolutën e 19 majit”, tha Meta.

Me anë të një postimi në Facebook, Meta thotë se gjatë bisedës me McAllister, theksoi domosdoshmërinë e forcimit të institucioneve demokratike. Në takimin me kreun e Komisionit të PE, kreu i shtetit ka përsëritur sërish se në vendin tonë ka nevojë urgjente për përmirësim të lirisë së mediave, integritetit të zgjedhjeve dhe luftës kundër korrupsionit.

“Nevojitet përmirësim urgjent i llogaridhënies në çdo nivel, lirisë së medias, integritetit të zgjedhjeve, luftës kundër korrupsionit dhe gjithë problematikave të tjera, që lidhen me bllokun më të rëndësishëm të çështjeve thelbësore. Theksova domosdoshmërinë e forcimit të institucioneve demokratike, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, si shtyllat kryesore të funksionimit të shtetit në një vend që aspiron anëtarësimin në BE.

Çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka rëndësi parësore, si për vendet tona ashtu edhe për vetë BE, për të siguruar transformimin demokratik përmes reformave të vërteta dhe të pakthyeshme”, shkroi Meta.


Lajmi kryesor:

Integrimi në BE, David McAllister në Tiranë: Shqipëria plotëson kushtet për negociatat! Nuk mund të ecet para pa një opozitë konstruktive


Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?