Figura e Presidenti i Republikës së Shqipërisë mbetet ende flu, e papërcaktuar si identitik politik, intelektual e njerëzor që do t’u sherbente si model partive parlamentare kur i futen punës të zgjedhin Presidentin e radhës.
Kjo papërcaktueshmëri nuk është domosdo rrjedhim i pashmangshëm i republikës parlamentare, ku Presidenti zgjidhet nga parlamenti dhe ka pushtet më pak se kryeministri. Italia gjithashtu është Republikë parlamentare. Por në figurën e Presidentit në fuqi, Sergio Matarela, dhe shumë prej pararardhësve të tij, shohim të jetë konsoliduar një kornizë e qartë e sjelljes, qasjeve dhe fushës së veprimit të Presidentit. Kjo kornizë-referencë, që nuk pengon shfaqjen e origjinalitetit të secilit President, duket se ka formuar mendimin se si duhet të jetë Presidenti në Republikën Parlamentare. Nuk kemi parë te fqinjët tanë matanë Adriatikut që kreu i shtetit të zgjidhet në parim, pa një prerje prej shtetari, pa karrierë të spikatur politike dhe profesionale, pa një corrikulum të përfshirjes në shërbime të spikatura për demokracinë dhe zhvillimin.
Rregulli është që ky post kurorëzon një karrierë të gjatë të atij që e merr. Të njëjtën gjë mund të themi për plot Presidentë të tjerë të Republikave parlamentare në Europë. Papërcaktueshmëria e Presidentit tonë është shqiptare. E kanë bërë të tillë lidërit politikë që e zgjedhin dhe vetë ata që janë zgjedhur. Të cilet nuk kanë mundur ti japin formë një operandi presidencial që do të krijonte traditë dhe trashëgimi.
Në tërësi, karriga e Presidentit është parë jo si finalizimin i një karriere, por si një stacion, si një ndalim a kalim pesëvjeçar prej nga ata që zgjidhen do të vijojnë angazhimet politike në funksione më të ulta se ai i kreut të shtetit.
Shprehja lapidare e Neritan Cekës në vitin 1997 kur thoshte se në botë ka mijëra deputetë që duan të bëhen Presidentë dhe ka vetëm një President që don të bëhet deputet e funksionar partie është vërtetuar jo vetëm me Sali Berishën. Pritet të vertetohet edhe me Ilir Metën pas pak muajsh kur të largohet nga Presidenca.
Do të mjaftonte qoftë kjo e dhenë e këtyre tri dekadave për të kuptuar sa vulnerabël është ky post. Në të vërtetë, kështu do të ndodhë kur zgjidhen në Kuvend Presidentë të moshës së mesme apo kryetarë partish private-familiare. Është tjetër gjë kur zgjidhet nga populli.
Se sa rifugjio janë dhe sa i madh është inflacioni i cilësive që duhet të ketë kryetari i shtetit e tregon shumë qartë sporti popullor i kandidimeve dhe vetekandidimeve.
Kjo dalldi ka shpjegim dhe duhet kuptuar. Përse të mos e mendojnë të gjithë të bëhen Presidentë të Republikës, përderisa në Presidencë janë ngjitur edhe persona të pakulturuar, adhurues të vlerave minimale, që nuk i kanë drejtuar popullit një mesazh të vetëm emancipues për t’u mbajtur mend, që ngatërrojnë, fjala vjen, muzikën me tallavanë, poezinë me bejtën, shkencoren me amatorën, talentin me hobet e kështu me radhë, duke kompromentuar edhe institucionin e nderimit që i jep Presidentit të Republikës atributet e një hipoteke të gjallë të vlerave të larta e të çertifikuara?
Çfarë mund të bëhet, ndërkohë që zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës është në proces.
Zgjidhja konsensuale, apo me dakordësi të nënkuptuar është më e mira. Raporti kritik i OSBE-/ODHIR për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, diferenca e vogël në vota mes shumicës dhe opozitës, arrestimi i dy deputetëve të PS-së, mandatet me lidhje me persona të shpallur non grata nga SHBA që janë më shumë nga krahu i PS-së, të gjitha këtu e përforcojnë nevojën e konsensusit. Me kusht që krerët politikë të partive të përfshira në bisedime ta kërkojnë lart dhe jo poshtë pikën e takimit tek kandidati i preferuar.
Kjo është e mundur. Pavarësisht se për shkak të zhvillimeve në opozitë vështirësitë janë më të mëdha se herët e mëparshme. Përçarja e PD-së e ka shfaktorizuarshumë partinë më të madhe të opozitës. Si të mosmjaftojnë arsyet parimore të ndarjes së saj në dy-tre grupe, shohim se PD zyrtare që ka numrin më të madh të deputetëve, është frenuar për të mos thënë se ka njëlloj “vartësie” nga ajo që thotë Sali Berisha se po bën lojën e Edi Ramës! ( Berisha vetë nuk do të frenohej asnjë milimetër po të konsiderohej nga shumica e Ramës në këtë proces. Që është kushtetuetshmërisht përfshirës). Kjo lloj “vartësie” e zvogëlon akoma më shumë marzhin e pjesëmarrjes së saj në poroces dhe nxit një qasje që kush e kush të jetë më sektar se tjetri në caktimin e pikave se si nuk duhet të jetë Presidenti i Republikës. Duke lenë në hije pjesën se si duhet të jetë.
Në këto kushte, dhe duke marrë parasysh edhe faktin se Edi Rama ka rekordet e tij tashmë në zgjedhjen e njerëzve të gabuar, gjasat më të mira i ka zgjidhja e keqe. Shpresoj dhe uroj që rrezultati ta mëpërgënjeshtrojë.