Emmanuel Macron dhe Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, 24 shkurt 2025

Bota

Trump pret në Shtëpinë e Bardhë Macronin! Presidenti amerikan: Mund të takoj dhe Zelenskyn së shpejti! Putin do pranojë paqeruajtës evropianë në Ukrainë! Lufta mund të përfundojë brenda pak javësh

24 Shkurt, 20:10| Përditesimi: 24 Shkurt, 22:04

  • Share

SHBA - Presidenti Donald Trump priti këtë të hënë në Shtëpinë e Bardhë, homologun e tij francez, Emmanuel Macron. 

Takimi u mbajt në kuadër të përvjetorit të tretë të pushtimit rus të Ukrainës dhe përfshiu një video-konferencë të përbashkët me liderët e G7 dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Para takimit me Trump, Macron vlerësoi guximin e Ukrainës përballë agresionit rus.

“Prej tre vitesh, Ukraina po lufton me guxim të jashtëzakonshëm kundër agresorit, Rusisë. Për sovranitetin dhe lirinë e saj. Mbështetja jonë për Ukrainën do të mbetet e palëkundur. Jam në Uashington për ta konfirmuar këtë dhe për të ecur përpara me presidentin Trump dhe aleatët tanë”,-  deklaroi Macron.

Gjatë video-konferencës me liderët e G7, Macron dhe Trump theksuan rëndësinë e një paqeje të qëndrueshme për Ukrainën.

“Kemi pasur një diskutim të shkëlqyer këtë mëngjes. Objektivi ynë i përbashkët është të krijojmë një paqe të fortë dhe të qëndrueshme. Shtetet e Bashkuara dhe Franca mbeten në të njëjtën anë”,- u shpreh Macron nga Zyra Ovale.

Më pas, liderët zhvilluan një takim dypalësh, ku diskutuan për sigurinë evropiane, mbështetjen për Ukrainën dhe marrëdhëniet tregtare midis SHBA-së dhe BE-së.

Macron prezantoi “propozimet e tij për veprim” për të përballuar kërcënimin rus, ndërsa Trump nënvizoi se “Evropa do të japë garanci sigurie për Ukrainën.”

Në një deklaratë të mëvonshme, Trump theksoi rëndësinë e NATO-s, duke thënë se “është një gjë e mirë nëse përdoret siç duhet.”

Ai la të kuptohet se dëshiron një rishikim të angazhimeve të SHBA-së në aleancën transatlantike, duke i kërkuar Evropës të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj.

I pyetur për një udhëtim të mundshëm në Rusi, Trump deklaroi: “9 maji mund të jetë pak herët për një vizitë në Moskë, por do të jem i gatshëm të shkoj në kohën e duhur.”

Sipas presidentit amerikan, Vladimir Putin mund të pranojë paqeruajtës evropianë në Ukrainë si pjesë e një zgjidhjeje të mundshme për konfliktin.

“Lufta mund të përfundojë brenda disa javësh”, tha presidenti amerikan Donald Trump.

Nga ana tjetër, Macron deklaroi se “Evropa është e gatshme të bëjë më shumë për mbrojtjen e kontinentit.”

Donald Trump do të takojë së shpejti presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Sipas agjencisë Bloomberg, presidenti amerikan ka theksuar se Zelensky mund të “vijë këtë javë ose javën e ardhshme për të nënshkruar marrëveshjen” mbi mineralet.

Ky takim i rëndësishëm mes Trump dhe Macron sinjalizon përpjekjet e liderëve evropianë për të siguruar mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën dhe për të ndërtuar një strategji të përbashkët për sigurinë evropiane.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e Diasporës do jetë përcaktuese më 11 maj?