Presidenti Vuçiç: I befasuar nga deklarata e Avdullah Hotit për marrëveshjen përfundimtare në Bruksel

30 Korrik 2020, 13:25| Përditesimi: 30 Korrik 2020, 14:15

  • Share

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi sot se ishte i befasuar nga deklarata e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, se në Bruksel kishte filluar nënshkrimi i marrëveshjes përfundimtare dhe se askush nga zyrtarët e BE-së nuk e mohoi këtë reagim. Vuçiç tha se presionet ndaj Serbisë, për të pranuar pavarësinë e Kosovës do të jenë gjithnjë e më të mëdha.

I pyetur pse bashkësia ndërkombëtare injoron temën e të shpërngulurve serbë, presidenti Vuçiç u shpreh se që nga Kongresi i Berlinit ka shetet që kanë punuar për të shpërbërë Serbinë dhe trungun etnik të saj

Ne-tha Vuçiç- do të përballemi me presione të shumta sepse Serbia është në një udhëkryq, jo vetëm gjeografik, por edhe një vend ku përplasen interesa të ndryshme politike të fuqive të mëdha dhe vendeve nga rajoni

Sipas presidentit, politika e Serbisë është të ruajë paqen dhe stabilitetin për qytetarët e saj dhe tërë rajonin, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi pranuar që në thelb të marrim pjesë në dialogun e sponsorizuar nga BE për marrëdhëniet tona me Prishtinën, në mënyrë që të zgjidhim problemet shekullore në interesin më të mirë të serbëve dhe shqiptarëve.

Ndërkohë, Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha sot se një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës do të jetë "gati" dhe "nënshkruar" kur të dy palët të bien dakord për të gjitha çështjet e hapura. 

Ekipet e ekspertëve nga Prishtina dhe Beogradi janë duke marrë pjesë në një raund tjetër bisedimesh në Bruksel, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe axhenda e tyre përfshin diskutimin për personat e zhvendosur dhe çështjet ekonomike.

Ndërkohë, Këshilli Evropian emëroi diplomatin çek, Tomash Szunyog, në postin e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së në Kosovë.

Mandati i tij do të nisë më 1 shtator dhe do të përfundojë më 31 gusht të vitit të ardhshëm.

Szunyog do ta zëvendësojë Natalya Apostolovan, e cila ka mbajur këtë pozitë qysh më 20 korrik të vitit 2016.

Përfaqësuesi Special i BE-së promovon një Kosovë që është e përkushtuar për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e pakicave dhe trashëgimisë kulturore dhe fetare, thuhet në njoftimin e Këshillit Evropian.

Përfaqësuesi Special i BE-së, thuhet në njoftim, mbështet edhe perspektivën evropiane të Kosovës dhe afrimin me BE-në, në përputhje me perspektivën e rajonit dhe në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Szunyog ka punuar edhe më parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi ka shërbyer si ambasador i Çekisë në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Slloveni.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?