Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Kosova & Rajoni

Paralajmëron presidentja Osmani: Do t'i drejtohem Kushtetueses nëse Kuvendi nuk konstituohet në fundjavë

17 Korrik, 19:47| Përditesimi: 17 Korrik, 19:52

  • Share

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet edhe në fundjavë.

Ajo i ka bërë këto deklarata në një konferencë të mbajtur me gazetarë, pas kthimit nga vizitat në Shtetet e Bashkuara dhe Letoni, dhe në ditën kur është shënuar përpjekja e 48-të për konstituim të Kuvendit, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, pa ndonjë sukses.

“Ne jemi duke e përgatitur lëndën për Kushtetuese dhe nëse edhe gjatë fundjavës nuk ka marrëveshje që mund të rezultojë me institucione të konstituuara, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës, por nuk e dimë sa kohë do t’i duhet asaj për t’u përgjigjur”, ka thënë Osmani.

Mes tjerash, Osmani e ka theksuar se asaj nuk i takon të negociojë koalicione qeveritare dhe se diçka të tillë e ka të ndaluar me Kushtetutë.

Gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.

“Unë jam e bindur që sikur për çdo afat tjetër, afat detyrues, edhe për këtë afat të cilin Gjykata e ka shpallur të detyrueshëm dhe kushtetues, nëse nuk respektohet, duhet të ketë pasoja juridike. Nuk po flas për pasoja penale. Pasoja juridike nënkupton se çfarë ndodh me institucionet nëse ato nuk konstituohen deri më 26 korrik?”, ka pyetur Osmani.

Pavarësisht se 26 korriku po afrohet secilën herë e më shumë, partitë politike duken të betonuara në qëndrimet e tyre dhe fajësojnë njëra-tjetrën për situatën e krijuar.

Megjithatë, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në fundjavë, pasi deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka thënë më herët gjatë së enjtes se pret që kryetari i partisë, Fatmir Limaj, të takohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një marrëveshje të mundshme në fundjavë.

“Presim që në fundjavë të ketë një epilog pozitiv, pra shpresojmë se këto bisedime që kanë vazhduar me muaj të tërë, të prodhojnë rezultat dhe Kosova të ketë institucione”, ka thënë Izmaku për gazetarë.

Sipas saj, temë e bisedimeve është që Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit, duke shtuar se “më në fund dikush po del mbi egot personale dhe partiake, e ky duket që do të jetë zoti Limaj pra, sepse nga fillimi e ka ndryshuar diskursin në këtë vend”.

Situata është bllokuar pasi Partia Demoratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës , Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit nga kryesuesi i seancës Avni Dehari është jokushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje, kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.

Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme. Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi./REL

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?