Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka miratuar vazhdimin e programit kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) të Qeverisë amerikane për Kosovën, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas Osmani, për këtë çështje ajo është njoftuar zyrtarisht nga zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau. “Lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën! Mirënjohje e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi ajo në Facebook.
Presidenca e Kosovës tha se Osmani gjatë qëndrimit në SHBA më herët gjatë korrikut kishte paraqitur kërkesën para zyrtarëve amerikanë për vazhdimin e këtij programi Në prill të vitit 2024, MCC-ja dhe Qeveria e Kosovës nisën zbatimin e këtij programin kompakt, që është i përqendruar në ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër.
Programi kap vlerën e 236.7 milionë dollarësh. Nga kjo shumë, 202 milionë janë nga MCC-ja dhe 34.7 milionë të tjera janë kontribut i Qeverisë së Kosovës. Programet kompakt të MCC-së janë grante pesëvjeçare që lëshohen nga kjo korporatë për shtetet që plotësojnë kërkesat për kualifikim për programe të tilla.
Më 2022, Kosova kishte arritur marrëveshje me MCC-në për programin kompakt. Sipas marrëveshjes, projekti kyç i këtij programi është ai i ruajtjes së energjisë.
Përmes tij, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.
Në ceremoninë e lansimit të zbatimit të programit, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kishin thënë se përmes këtij programi, deri në fund të vitit 2027 parashikohet që Kosova të ketë kapacitetin më të madh të baterive në botë për kokë banori.
Atëbotë, ekzekutivi kosovar tha se kompakti i MCC-së synon të prezantojë një sistem të avancuar të ruajtjes së energjisë për të krijuar brime të besueshme, të ripërtërishme të energjisë të cilat do të integrohen në rrjetin e Kosovës dhe duke reduktuar nevojën që energjia të prodhohet nga thëngjilli.
Ndërkaq, nga MCC-ja kanë deklaruar se kompakti do të shërbejë si “gurthemel i tranzicionit të Kosovës drejt energjisë së gjelbër, duke rritur sigurinë energjetike të vendit dhe duke nxitur transformimin e tij socio-ekonomik”.
Kosova prodhon shumicën e energjisë përmes djegies së thëngjillit, në dy termocentralet: Kosova A dhe B.
Sipas Strategjisë për Energjinë, që është miratuar më 2023, Kosova synon që deri në vitin 2031 të arrijë që 35 për qind të nevojave për energji, t’i gjenerojë nga energjia e ripërtërishme. Strategjia, po ashtu, parasheh që thëngjilli të hiqet tërësisht nga përdorimi deri në vitin 2050.
Ndryshe, MCC-ja ka bashkëpunuar me Kosovën që nga viti 2016. Përveç programit kompakt për energji, MCC-ja ka pasur edhe programe të tjera për zhvillimin ekonomik në Kosovë në vlerë prej 50 milionë dollarësh.
Kjo agjenci e SHBA-së po ashtu ka ofruar bursa për shkollimin e grave në fushën e energjisë./REL
Komente
