KOSOVË - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit, të cilat u certifikuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 27 mars.
Më herët, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca ka thënë se pret që shumë shpejtë të formohet Qeveria e Kosovës. Konjufca tha se beson që i kanë numrat për krijimin e qeverisë së re.
“Sa i pëket zgjedhjeve krejt çka presim është të themelohet shumë shpejtë Qeveria e Kosovës në parlament. Fillimisht parlamenti duhet të konstituohet. Besoj se i kemi numrat”, tha Konjufca.
Po ashtu, 2 ditë më parë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti u shpreh i bindur se seanca e parë në Kuvend, krahas zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri dhe betimit të deputetëve do të shërbeje edhe për të votuar qeverinë e re.
Çfarë ndodh në seancën konstituive?
Seanca konstituive përgatitet nga kryetari i legjislaturës së mëparshme, i cili pesë ditë para mbajtjes së seancës duhet të thërrasë në mbledhje kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për të përgatitur një rend dite.
Rendi i ditës duhet të përfshijë formimin e një komisioni të përkohshëm që bën verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve të rinj, zgjedhjen e kryetarit të kuvendit dhe nënkryetarëve, votimin e raportit të komisionit të lartpërmendur dhe përcaktimin e vendeve të deputetëve në sallë, sipas fuqisë politike.
Seanca konstituive kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë.
Ligjet nuk parashohin që gjatë seancës nuk mund të ketë debat.
Në këtë seancë deputetët bëjnë betimin – ata që mungojnë mund ta bëjnë në seancën pasuese – dhe partia e parë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Nënkryetarët, ndërkaq, propozohen nga një nga partitë më të mëdha dhe nga komunitetet joshumicë dhe komuniteti serb.
Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
“Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”, thuhet në nenin 12, pika 5 e Rregullores së Kuvendit.
Sipas rezultateve, në përbërjen e re parlamentare Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Lista Serbe nëntë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate tetë vende.
Lajmi në përditësim...
Komente
