Beograd- “Një takim i rëndësishëm dhe i denjë” kështu e quajti sot (24 gusht) presidenti Aleksandër Vuçiç takimin me shefin e CIA-s William Burns, i cili më 21 gusht u ndal në Beograd gjatë turit të tij 3 ditor në Ballkan ku qëndroi edhe në Kosovë e Sarajevë.
Më tej ai tha se me drejtorin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA) kishte pasur një diskutim të dobishëm dhe të mirë mbi cështje të rëndësishme për të ardhmen e rajonit dhe të vendit
Ai i quajti qesharake komentet se vizita e zyrtarit të lartë amerikan ishte mbajtur e fshehtë në Serbi, ndërsa në Bosnje e Hercegovinë ishte transparente.
Kur u pyet nga një gazetar se cili ishte qëllimi i vizitës së fundit të shefit të CIA-s në Beograd, Vuçiç tha: "Sa i përket pyetjes së parë, ne patëm biseda shumë të dobishme dhe të mira. Unë qesh me ata që thonë se ishte transparente në Bosnje Hercegovinë dhe në Serbi takimet ishin të fshehura. Ju flisni me mysafirin dhe shikoni nëse ata duan të dalin publikisht ose jo ndonjë deklaratë apo nuk e di çfarë. Dhe zakonisht kur flet me shefin e CIA-s kurrë nuk ka deklarata' tha Vuçiç citon Tanjug.
Deri para deklaratës së sotme të Vuçiçit, askush nga zyrtarët në Serbi apo SHBA nuk e konfirmuan e as mohuan vizitën e Burnsit në Beograd. Për Vuçiç ky është një qëndrim serioz i një shteti.
"Amerikanët, si shteti më serioz, së bashku me Republikën Popullore të Kinës, në botë menduan se kjo ishte mënyra më e mirë e mundshme për të vijuar vizitën. Dhe nuk kam asgjë për t'ju thënë më shumë. Sa për temat, të gjitha temat ishin të rëndësishme për të ardhmen e rajonit. Ata shprehën pikëpamjet e tyre, ne patëm një takim shumë të dobishëm, do të thoja, kjo është gjithçka që mund t'ju them“ tha Vuçiç.
Sa i takon protestave kundër minierës së litiumit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se nuk i nënvlerëson protestat kundër nxjerrjes së litiumit, por theksoi se sipas tij po zvogëlohen dhe se këndvështrimi i njerëzve po ndryshon.
"Ne dimë të masim disponimin e njerëzve. Kjo po ndryshon, sepse një pjesë e mirë e njerëzve e shohin se e kanë gënjyer dhe mashtruar, por është një proces i gjatë. Po ndryshon dukshëm dhe do të vazhdojë të ndryshojë”, tha Vuçiç
Më 23 gusht, Burns ishte edhe në Kosovë ku u takua me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti. Qeveria e Kosovës e vlerësoi vizitën e shefit të CIA-s në Prishtinë si “moment të rëndësishëm historik” në raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së .