Kapiteni i Vllaznisë Erdenis Gurishta thotë se ishte shumë e rëndësishme për skuadrën për t’u rikthyer te fitoret në ndeshjen që lanë pas kundër Apolonisë. Por për të fituar kampionatin sipas futbollistit duhet të merret seriozisht ndeshja e ardhshme kundër Skënderbeut pavarësisht se është në vendin e fundit.
“Ishte shumë e rëndësishme që të kthehemi te fitorja pas atij hapi fals që bëmë në shtëpi kundër Laçit, por tani duhet të fokusohemi te Skënderbeu. Duhet ta vlerësojmë shuëm dhe nuk duhet ta shohim si skuadrën e vendit të fundit të renditjes. Duhet të japim maksimumin dhe duhet të luftojmë shumë për të marrë trepikëshin.”
Kapiteni i shkodrane thotë se nuk ka presion në skuadër tani që rivalët po afrohen te kreu, pasi ata janë sipër pritshmërive
“Tek ekipi jonë nuk ka aspak presion jemi të qetë. Presioni duhet të jetë tek ekipet kundërshtare që janë poshtë nesh, sepse ata kanë patur objektiva madhorë dhe nuk e kanë menduar ecurinë tonë kaq të mirë. Besoj se mund të kemi prishur shumë plane. 6 pikë para nuk janë as pak as shumë, por na japin një qetësi për të vazhduar në këtë rrugë.”
Sipas Gurishtës nëse ndeshjet do të luheshin me tifozë Vllaznia do të kishte një armë plus.
“Me tifozët në stadium në këtë momente, me këtë ecuri të mirë që po tregojmë, me lojrat e mira dhe me pikët që kemi do të ishte një atsmoferë që në kampionatin shqiptar nuk është parë asnjëherë. Gjithsesi shpresoj që të jetë shumë e afërt dita që do happen stadiumet, pasi çdo ekip ka nevojë për tifozët e vet.”
Vllaznia kryesuese me 6 pikë më shumë se Partizani luan të shtunën ndeshjen e radhës kundër Skënderbeut.