Shqipëria është gjithmonë e më shumë në vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Së fundmi për bukuritë natyrore të vendit ka shkruar edhe prestigjiozja e udhëtimeve “Condé Nast Traveller Germany”, e cila i ka kushtuar një artikull destinacioneve autentike të natyrës dhe mikpritjes së veçantë në vend.
Artikullin e ka ndarë edhe kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook, teksa shkruan se media e përshkruan Shqipërinë si një prej destinacioneve të ardhshme më në zë të turizmit në Evropë.
“Mirëmëngjes dhe me gjigantin e udhëtimeve “Condé Nast Traveller Germany”, që i kushton këtë superartikull Shqipërisë, si destinacioni i përvojave autentike të natyrës dhe një mikpritjeje të sinqertë, të cilat e bëjnë një prej destinacioneve të ardhshme më në zë të turizmit të Europës, me Vjosën si kartvizitë unikale, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri Rama.
Kujtojmë që Shqipëria është vlerësuar së fundmi si një në vend me rritjen e turizmit më të shpejtë në Evropë dhe botë. World Tourism Barometer, në një raport të fundit, tregonte suksesin e jashtëzakonshëm të vendit për vitin 2024, me një rritje prej 80 përqind të turistëve.
Sipas raportit, rritja i atribuohej investimeve në infrastrukturë, përmirësimit të lidhjeve ajrore dhe promovimit më të madh ndërkombëtar. Po ashtu, diversifikimi i ofertës turistike dhe mbrojtja e natyrës dhe e kulturës unike kanë kontribuar në tërheqjen e turistëve.
Komente
