Foto ilustruese

Politikë

Presin dritën jeshile nga Kuvendi/ Ndryshimet e Kodit Zgjedhor, diaspora zero lekë për postën, vota do numërohet nga komisionerë politikë! Rriten financimet e koha televizive në fushatë

13 Shkurt, 08:31| Përditesimi: 13 Shkurt, 14:33

  • Share

TIRANË- Kur na ndajnë vetëm 3 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike pritet të bashkojnë sërish votat në Kuvend për të miratuar ndryshime të reja në Kodin Zgjedhor me qëllim lehtësimin e votës së diasporës, por jo vetëm. Në seancën plenare të ditës së sotme ishte futur në rend dite drafti me ndryshimet në Kodin Zgjedhor i rënë dakord mes mazhorancës dhe opozitës, që ka marrë miratimin edhe në Komisionin e Ligjeve, por për shkak të tensioneve senaca u shty për të hënën e 17 shkurtit. 

Por, çfarë parashikojnë këto ndryshime? Pika më e rëndësishme e këtij drafti është që diaspora nuk do të paguajë asnjë lek për votën. Nëse këto ndryshime miratohen në Kuvend, të paktën për këto zgjedhje, shteti do të paguajë edhe koston e kthimit të votës së diasporës në Shqipëri. Fondi është gati nga buxheti i shtetit dhe me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kod Zgjedhor pritet t’i alokohet KQZ.

“Fletët e votimit të plotësuara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor nëpërmjet shërbimit postar. Shpenzimet për dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit dhe çdo materiali tjetër zgjedhor dhe informativ nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tek votuesit nga jashtë, paguhet nga KQZ-ja”, thuhet në draft.

I vetmi kusht që nuk është pranuar është ai i Partisë Demokratike që në zgjedhjet parlamentare të 11 majit votonin edhe ata emigrantë me dokumente të huaja. Palët nga ana tjetër kanë rënë dakord që të afrojnë afatet për regjistrimin e partive e kandidatëve më 12 mars nga 22 mars që është aktualisht, me qëllim që KQZ të prodhojë më shpejt fletën e votimit, për ta dërguar në kohë në diasporë.

PD ka arritur një prej kërkesave të saj, që vota e diasporës që do të mbërrijë në KQZ të mos votohet nga komisionerë, por nga anëtarë të zgjedhur nga vetë politika. Komisioni për numërimin e votës së diasporës përbëhet nga 4 anëtarë dhe Sekretari që emërohen nga KQZ. Dy prej anëtarëve propozohen nga shumica parlamentare dhe dy nga pakica, ndërkohë që sekretari i komisionit do përzgjidhet në bazë të aplikimeve të lira në KQZ, por duhet me patjetër të jetë në profesion jurist.

“Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë territorit të republikës së Shqipërisë administrohet nga një komision i përbërë prej 4 anëtarësh dhe sekretari, të emëruar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Propozimi për 2 anëtarë bëhet nga partia më e madhe e shumicës parlamentare dhe për 2 anëtarët e tjerë propozimi bëhet nga partia më e madhe e pakicës parlamentare. Sekretari i komisionit emërohet mbi bazë të aplikimeve të lira dhe duhet të jetë me profesion jurist. Anëtarët dhe sekretari duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në nenet 30 dhe 31 të këtij Kodi. Nëse numri në listën përfundimtare të zgjedhësve nga jashtë është më i madh se 80 mijë, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve mund të ngrejë më shumë se një komision të numërimit dhe të vlerësimit të votave nga jashtë, me kushtin që vlerësimi i votave të një qarku të kryhet nga i njëjti komision”, thuhet në draft.

Ndërkohë në draft është futur edhe një pikë e kërkuar nga KQZ, për të ndryshuar afatet e ankimimit në gjykatë për votuesit nga Diaspora që kërkojnë regjistrimin në listën zgjedhore. Në draft përcaktohet një afat kohor “deri 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve” për ankimimin në gjykatë të votuesve nga jashtë. Sipas dispozitës aktuale, zgjedhësi që ka paraqitur kërkesë për regjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Shqipërisë ka të drejtë të paraqesë kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës deri 7 ditë përpara datës së zgjedhjeve, kur vëren se nuk është i regjistruar në këtë listë, ose regjistrimi i tij ka pasaktësi.

“Kur zgjedhësi që ka paraqitur kërkesë në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, vëren se nuk është i regjistruar në këtë listë, ose regjistrimi i tij ka pasaktësi, ai ka të drejtë të paraqesë kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, deri 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Kërkesa mund të paraqitet edhe online, nëpërmjet një platforme elektronike të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Kërkesa sipas kësaj pike, përjashtohet nga taksa gjyqësore. Gjykata shqyrton dhe vendos për kërkesën, sipas kësaj pike, nëpërmjet kësaj platforme, brenda 48 orëve nga data e regjistrimit të kërkesës. Emri dhe të dhënat e tjera të zgjedhësit që i shtrohen listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë i bashkëngjitet vendimi i Gjykatës.”

Po ashtu, palët kanë rënë dakord edhe për dy ndryshime të tjera për të rritur tavanin e financimeve dhe kohën e reklamave televizive gjatë fushatës. PD propozoi në Komisionin e Ligjeve që të ketë më shumë hapësirë televizive për kandidatët në listë të hapur në mënyrë që të kenë më shumë mundësi për të bërë fushatë. Dhe sipas dakordësisë, koha për kandidatët që i nënshtrohen votimit të parapëlqyer për të secilit subjekt zgjedhor nga secila radio dhe televizion privat nuk mund të jetë më shumë se 140 minuta.

“Koha e përgjithshme e transmetimit të reklamave politike për kandidatët e listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit të parapëlqyer për të secilit subjekt zgjedhor nga secila radio dhe televizion privat nuk mund të jetë më shumë se 140 minuta”, thuhet në draft.

Nga ana tjetër me propozim të PS do të ndryshojë edhe financimi i partive politike.

“Shuma e shpenzimeve të bëra nga një subjekt zgjedhor, pa përfshirë kandidatët e tij, për fushatën zgjedhore nuk duhet të jetë më shumë se 5 herë më e madhe se shuma më e lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike për qëllime zgjedhore, në përputhje me nenin 88 të këtij ligji”, thuhet në draft.

Ndërkohë, kandidatët e partive politike mund të vetëfinancojnë fushatën e tyre deri në 3 milionë lekë të rinj.

“Kandidatët e partisë politike ose koalicionit zgjedhor të regjistruar si subjekt zgjedhor kanë të drejtë të vetëfinancojnë fushatën e tyre deri në shumën 3 milion lekë. Deklarimi i këtij vetëfinancimi paraqitet nga kandidati së bashku me raportin financiar të dorëzuar nga subjekti zgjedhor që i përket, sipas nenit 92/3. Kandidati ben deklarimin sipas kësaj pike në përputhje me modelet e miratuara nga KQZ. KQZ miraton modelet e raportimit financiar të kandidatëve të subjekteve zgjedhore brenda 10 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Shkelja e përcaktimeve të bëra në këtë pikë nga kandidati i subjektit zgjedhor i nënshtrohet sanksioneve të parashikuar në nenin 173 të këtij Kodi”, thuhet në draft.

Tashmë këto ndryshime zgjedhore presin dritën jeshile në Kuvend, ku me gjasë edhe PD do të bashkojë votat njëjtë si në Komisionin e Ligjeve, pasi vetë demokratët kanë deklaruar se nuk do ta rrezikojnë votën e diasporës në zgjedhjet e 11 majit./Shqiptarja.com

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Arrestimi i Veliajt, si e vlerësoni qëndrimin e Ramës ndaj drejtësisë?