Bashkimi Europian në Tiranë ka përgënjeshtruar pretendimet e Sali Berishës, i cili përmes televizionit të tij Syri Tv, akuzon ambasadorin e Unionit në Shqipëri, Silvio Gonzato, se ka ndërhyrë në raportin e OSBE/ODHiR për zgjedhjet e majit me qëllim mosreflektimin e problematikave të evidentuara në procesin e votimit.
"Pretendimet se Ambasadori i BE-së ndërhyri për të hequr emrat nga artikulli i raportit të ndërmjetëm të OSBE/ODIHR-it, të përsëritura në një artikull të botuar sot nga Syri .net, janë të rreme.
Siç theksoi së fundi Ambasadori i BE-së në deklaratat për shtyp, Bashkimi Evropian nuk ndërhyn dhe as nuk kërkon të ndikojë në proceset demokratike të Shqipërisë.
Për më tepër, raportet e vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it janë të pavarura, të paanshme dhe të bazuara vetëm në gjetjet e verifikuara nga ekipet e tyre të vëzhguesve.
BE-ja është këtu për të mbështetur dhe shoqëruar Shqipërinë në rrugën e saj evropiane, jo për të ndërhyrë ose manipuluar në asnjë mënyrë.
Dezinformimi mund të minojë besimin e publikut në proceset demokratike",- thuhet në deklaratën e BE në Tiranë.
Më 1 maj, BE përgënjeshtroi Berishën, pasi televizioni i familjes së tij publikoi një lajm ku pretendohej se ambasadori Silvio Gonzato ka hequr nga raporti parazgjedhor i OSBE-ODHIR emra banditësh dhe policësh të përfshirë në krim elektoral.
Komente
