Partizani renditet i pari në Superligë në këtë nisje të sezonit pas 3 fitoreve dhe një humbje të pësuar së fundmi, por pavarësisht disfatës me Erzenin trajneri Artan Mërgjyshi thotë se të kuqtë janë kandidatë potencial për titullin. Për Report TV Mërgjyshi tregon se kush është difekti më i madh që Partizani duhet të rregullojë.
“Nëqoftëse nuk shënon Skuka Partizani futet në ngërç. Nuk ka shumë zgjidhje për të shkuar te goli. Skuadra ka gjendje të mirë fizike, është e lirshme, por ka problematikë për të shkuar te goli,”-u shpreh Artan Mërgjyshi, trajner futbolli.
Këtë sezon interesante është bërë edhe Kategoria e Parë, pasi 3 emra me peshë në futbollin shqiptar Dinamo, Flamurtari dhe Skënderbeu do luftojnë për t’u rikthyer në Superligë.
“Dy nga këto skuadra, por Dinamo veçanërisht është më para në organizim dhe organikë. Flamurtari ka bërë një nisje të keqe dhe nuk do ta ketë të lehtë për t’u ringjitur në Superligë. Shoh Dinamon dhe Skënderbeun pak më të avantazhuara për t’u rikthyer aty ku u takon,”-deklaroi Artan Mërgjyshi, trajner futbolli.
Një anomali e Superligës, e përsëritur edhe këtë sezon të ri, është shkarkimi i shpeshtë i trajnerëve.
“Mund të jemi i vetmi kampionat në botë që për katër javë të kemi 2-3 trajnerë të shkarkuar. Këto presidentë që kanë vite në futbollin tonë akoma nuk e kuptojnë se problemi nuk është te trajneri, port e qetësia dhe sigurua që duhet ti transmetosh skuadrës nëpërmjet trajnerit. Po ta ndërrosh shpesh lojtarët nuk janë më të përgjegjshëm dhe kanë alibi për ta dëguar fajin diku tjetër,”-tha Artan Mërgjyshi, trajner futbolli.