Politikë

Pretendimet për ‘trenin bullgar’ ranë, Report Tv në Pekisht! Kryeplaku Dervishi: Fletët e votimit imitim i KQZ për të edukuar zgjedhësit! PD erdhi me forcë, përmbysi gjithçka (VIDEO)

25 Maj, 15:38| Përditesimi: 25 Maj, 17:47

  • Share

Emri i Dervish Beqirit, kryeplak i fshatit Pekisht në Peqin të Elbasanit u përmend për herë të parë më 22 maj, nga kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili pretendonte se në lokalin e tij gjendeshin gjurmë të manipulimit të votave përmes fenomenit të Trenit Bullgar.

Report Tv udhëtoi drejt Pekishtit, për të biseduar me personin që u kthye në shënjestër të zulmeve të opozitës e për të marrë versionin e tij.

Kryeplaku i fshatit thotë se fletët e gjetura nga eksponentët e PD-së, ishin imitim të fletëve të votimit, që përdoren për të edukuar zgjedhësit për mënyrën e saktë të votimit në ditën e zgjedhjeve.

"Ato letra si lija aty po të ishin me probleme. Këto janë letra që i kanë të gjithë lokalet, dyqanet se ata atë punë kanë t’i shpërndajnë letrat", thotë Beqiri.

Mohon që listat e zgjedhësve, të gjetura në bar-kafen e tij të vogël, të jenë përdorur për qëllime partiake. Si kryeplak, ai kishte detyrën t’i afishonte në vend-ndodhjet e qendrave të votimit.

"Unë shkova te shkolla për të vënë letrat (listat e votuesve) dhe më tepruan, nuk mund tja lija kalamanjve atje, i solla këtu, se unë nuk kam zyrë", shtoi ai.

Një pretendim i opozitës ishte edhe gjetja e disa kartave të identitetit. Por edhe këtu, kanë dalë blof.

"Policia më ka marrë portofolin, kodin fiskal Italian, të bankës dhe doktorit dhe patenta, ka nxjerrë që kam karta ID, ku janë? Këtu ska rob, jo karta identiteti, ato ishin të gjitha me një emër. Ti thuash atje që i ka blerë karta identiteti njerëzve, ta çosh 35 milionë lekë, ku i gjete? Janë sekuestruar 2 milionë e 800 mijë lek se unë kam edhe nëjë pikë funerale, bëra një vdekje në shezë, noma e mitat tabakut, më ka dhënë 850 mijë, edhe kunata ime më ka dhënë lek me i la shtëpinë se rri në itali, çdo shtëpi ka 1 milionë lekë se të bie një hall", nënvizoi Beqiri.

I vënë në shënjestër si një njeri që i ka shërbyer Partisë Socialiste, Beqiri mohon të ketë pasur rol, qoftë edhe ndikues te bashkë-fshatarët e tij për zgjedhjet e së dielës së 11 majit.

"Unë nuk jam as majtas as djathtas, unë jam një kryetar këshilli  ishërbej këtyre pak njerëzve majtas e djathtas, kur kanë nevojë, kur kanë ndonjë problem vete nuk merrem me letra false, njerëzit e dinë vetë se ca bëjnë, nuk kanë pse më dëgjojnë mua, e dinë në kutinë e votimit", shtoi ai.

Ata që pretendojnë se i gjetën në flagrancë dëshmitë e “Trenit Bullgar” thotë se do ta kenë përballë, jo në betejë elektorale, por atë për të vërtetën.

"Ai është një armik për mua, më ka kthyer shtëpinë nga e mbrapta, unë jetoj me gruan këtu, shteti për këtë person të marrë masë. Unë nuk tërhiqem, as s'kam vrarë as s'kam vjedhur", thotë ai.

Edhe organeve ligj-zbatuese iu desh vetëm 24 orë kohë për të rrëzuar pretendimet e Sali Berishës. Në një njoftim zyrtar të premten, policia tha se fletët e gjetura në lokalin e Dervish Beqirit ishin false dhe jo reale duke rrëzuar kështu edhe zyrtarisht pretendimin e demokratëve për Trenin Bullgar.

Edhe vetë denoncuesi kreu i PD Elbsan Bledi Himçi kur u pyet nga gazetarët a kishin apo jo fletët vula, pranoi edhe me zë atë që duhej qartë, se fletët ishin pa vula.

Mungesa e vulës, edhe nëse fletët e votimit janë të plotësuara, e do të përfundonin në ndonjë kuti votimi, i bën ato të pavlefshme, pasi lehtësisht kontestohen nga çdo numërues.

Që këto fletë nuk ishin provë e fenomenit të trenit bullgar, u duk i bindur edhe vetë kryedemokrati Berisha, i cili tha se nuk do të bëjë denoncim në SPAK.

Faksimile me riprodhim të saktë të fletëve të votimit, por pa vulat përkatëse të komisionit zgjedhor, që PD pretendon se janë përdorur për “trenin bullgar”, KQZ ka shpërndarë me dhjetëra. Kjo, si për të trajnuar komisionerët për dallimin mes votës së vlefshme e të pavlefshme por KQZ ka shpërndarë edhe kite në PDF të fletës së votimit për mediat si ky format që ka pasur vazhdimisht në duar edhe gazetarja e Report Tv Esiona Konomi, për t’i treguar qytetarëve format e rregullta të votimit.

Edhe vetë subjektet politike të interesuara, i kanë pasur këto fletë për t’i treguar edhe mbështetësve të tyre se si të fusnin në kuti një fletë të vlefshme votimi.  Por fletëvotimi që KQZ porosi jashtë shtetit për tu shpërndarë në qendrat e votimit, ka specifikime të veçanta, elementë sigurie që e bëjnë të dallueshme si në peshë, në ngjyrë, e veçanërisht edhe me vulë.

Fjala e plotë e Dervish Beqirit:

Unë nuk mund t’i lija këtu letrat, jam një plak i mirënjohur, gruaja ka shkuar 3 herë në spital duke marrë serum, më ka prishur imazhin e shtëpisë sepse unë as nuk kam prerë as nuk kam vrarë.

Këto janë letra që i kanë të gjithë lokalet, dyqanet se ata atë punë kanë t’i shpërndajnë letrat, unë shkova te shkolla për të vënë letrat (listat e votuesve) dhe më tepruan, nuk mund t’ja lija kalamanjve atje, i solla këtu, se unë nuk kam zyrë.

Megjithatë, vendosëm me gruan që do t’i çojmë në shezë në komunë, t’i dorëzojmë. Patëm një fatkeqësi këtu, më vdiq një komshie edhe zgjati nja 2-3 ditë dhe erdhën ato, më prishën imunitetin, më kanë nxjerr jashtë asaj seç duhet, biles biles unë gruan e kam shumë të dobët nga gjendja fizike, unë as s'kam pre as kam vjedhur dhe jam i qetë nga kjo punë prandaj edhe nuk dorëzohem, se po të kisha vjedhur lekë, se ato lekë që më kanë marrë, nuk kam as lekë të ha bukë, diku mora borxh, po mua shteti ato lekë do mi kthejë se unë nuk kam vjedhur do të mi kthejë, makinën  ma ka marrë, megjithatë jam i paknaqur me personat që vijnë dhe bëjnë terror nëpër fshatra, se në qytete nuk bëjnë kështu, ne jemi fshatar, jemi të vuajtur, edhe kështu.

Pastaj shteti edhe me atë njeri të vendosë dorë, sepse të më prishësh imunitetin e gruas, të mi sjellësh të gjithë me nipër e mbesa, në Shqipëri për letra mësimore të votuesve, është e padrejtë. Unë nuk jam as majtas as djathtas, unë jam një kryetar këshilli i shërbej këtyre pak njerëzve majtas e djathtas, kur kanë nevojë, kur kanë ndonjë problem vete nuk merrem me letra false, njerëzit e dinë vetë se çfarë bëjnë, nuk kanë pse më dëgjojnë mua, e dinë në kutinë e votimit.

Të më vish ti mua me forcë. Zotëri për të ardhur duhet të kesh mandat nga policia apo gjykata nga merret, e të vish të më kontrollosh shtëpinë. Ai është një armik për mua, më ka kthyer shpinën nga e mbrapta, unë jetoj me gruan këtu, shteti për këtë person të marrë masë, se unë në një fazë tani, që deri ku arrij me gruan, megjithatë zoti mendon për njerëzit e mirë.

Policia më ka marrë portofolin, kodin fiskal Italian, të bankës dhe doktorit dhe patenta, ka nxjerrë që kam karta ID, ku janë? Këtu s'ka rob, jo karta identiteti, ato ishin të gjitha me një emër. Ti thuash atje që i ka ble karta identiteti robve, ta cosh 35 milionë lekë, ku i gjete?

Janë sekuestruar 2 milionë e 800 mijë lekë se unë kam edhe një pikë funerale, bëra një vdekje në shezë, noma e mitat tabakut, më ka dhënë 850 mijë, edhe kunata ime më ka dhënë lek me i la shtëpinë se rri në itali, çdo shtëpi ka 1 milionë lekë se të bie një hall.

Cfarë kërkon?

Kërkoj dëmshpërblimin e gruas edhe drejtësi, erdhi si nuse lalë, një arrogant nga Elbasani dhe ky gazetari i ka lëshuar duart gruas se deshi me i kap telefonin.

Ka hy si nuselale që kap zogun kur e ha, si mund të hysh në shtëpi time ti? Po ai pati një shanc që nuk pata njerëz këtu, nuk hyn këtu dot ai, policia po hyn sepse merr mandat edhe hyn ku do vetë. Unë nuk jam keqbërës, rri krah për krah me pensionistët, fshatarët këtu. Unë nuk kam punë me partitë, majtas djathtas, çdo njeri e di vetë ku voton. Ato letra si lija aty po të ishin me probleme.

Xh.K/H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?