Pretendimi i PD se FNSH u nxori armën, ministri: S’ishin të armatosur, po zbatonin detyrën! Bardhi: Të hetohet kush dha urdhrin që policia të futej në Kuvend

18 Tetor, 11:01| Përditesimi: 18 Tetor, 14:00

  • Share

Nga Shkodra, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka hedhur poshtë pretendimet e PD se efektivi i FNSH në oborrin e Kuvendit ishte i armatosur dhe se u ka nxjerrë armën deputetëve. Në bazë të ligjit për tubimet, në një prononcim për gazetarët, ministri tha se asnjë prej efektivëve nuk ishte i pajisur me armë zjarri.

“Policia është shprehur qartë se nuk ka pasur asnjë tentativë të nxjerrjes së armës nga efektivi, në ligjin për tubimet është e përcaktuar nga rastet kur përdoren armët e zjarrit, nuk kanë pasur dhe s’kanë qenë të pajisur me armë zjarri. Sulmi i deputetëve ndaj policisë dhe gardës, në prag të marrjes së ditës së negociatave dhe anëtarësimit së Shqipërisë në BE, nuk është i pranueshëm sepse forcat e policisë dhe Garda është për të mbrojtur institucionet kushtetuese”, u shpreh ministri Hoxha.

Sa u takon polemikave, se përse FNSH u fut në oborrin e Kuvendit, ndërkohë që aty ende ishin deputetët, ministri Hoxha tha se po zbatonin detyrën. Ai theksoi se Garda dhe Policia ishin aty për të mbrojtur institucionet, ndërkohë që dënoi sulmet e deputetëve të PD ndaj efektivëve duke thënë se janë të papranueshme.

“Keqardhje për opozitën, që ushtroi dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe gardës, që ishin atje për të kryer detyrën. E drejta e tubimit garantohet nga ana e punonjësve të policisë, ndërsa e drejta e dhunës, goditjes, shkatërrimit, goditjes së policisë, nuk tolerohet.

Forcat e policisë kanë qenë atje për të bërë detyrën dhe mbrojtjen e institucioneve, ndjej keqardhje që forma dhe mënyra e intimidimit dhe imponimit të kësaj maxhorance me mjete shkatërruese djegëse, nuk është forma e duhur dhe bie ndesh me parimet e demokracisë”, tha më tej ministri.

Nga ana tjetër, Gazment Bardhi në emër të opozitës, kërkoi të gjendet se kush urdhëroi hyrjen e forcave policore brenda në oborrin e Kuvendit kur aty ishin edhe deputetet në përfundim të seancës plenare.

“Kushdo që ka urdhëruar futjen e forcave speciale në territorin e Parlamentit, të vendoset dhe do vendoset para përgjegjësisë penale. Degradimi në këto nivele i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit është i frikshëm. Nuk luftojnë krimin e organizuar, por merret me gratë e opozitës”, tha Bardhi.

Ndërkohë, sa i takon pretendimit të PD, burimet thanë se AMP nisi verifikimet dhe ka rezultuar se efektivi nuk ka pasur armë. Reagime dhe polemika për policinë në Kuvend pati edhe në mesin e institucioneve. Garda pretendon se nuk kërkoi ndërhyrjen e Forcave Kombëtare të Sigurisë, ndërsa zyrtarisht nga policia nuk ka pasur një reagim, për rastin, i cili është duke u hetuar.

Dinamika e përplasjes

Gjithçka nisi pas përfundimit të seancës plenare, ku të përjashtuarit nuk u lejuan të futen në sallë. Më pas militantët e PD që po protestonin te Bashkia e Tiranës u zhvendosën para hyrjes së Kuvendit. Aty protestuesit i përplasën me policinë duke tentuar të hapin derën për t’u futur në Kuvend. Nga ana tjetër, FNSH u fut nga pjesa e pasme e Kuvendit, ndërkohë që brenda në oborr ishin ende deputetët e opozitës. Pas përplasjeve të ashpra, FNSH u largua nga ambientet e Kuvendit edhe pas ndërhyrjeve të Gardës.

Ora 11:57
Bardhi: Ministri Hoxha dhe drejtorët e Policisë, ushtarë të bandave! Të ndiqet penalisht kush dha urdhrin që specialet të futeshin në Parlament

Teksa doli sot në konferencë për mediat, për të denoncuar një nga skandalet më të mëdha korruptive me transaksionet në shit-blerjen e energjisë elektrike, ku akuzoi zv/kryeministren dhe ministren e Energjetikës, Belinda Balluku, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi hodhi akuza edhe për dhunën policore të ditës së djeshme në oborrin e Parlamentit.

Duke iu përgjigjur një prej pyetjeve nga gazetarët, në lidhje me ngjarjet e djeshme dhe nisjen e hetimeve për deputetët opozitarë, Bardhi u shpreh se “nuk u përgjigjet ushtarëve të bandave, por direkt bandave”. Dhe ai cilësoi ministrin e Brendshëm, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe atë të Tiranës, si “ushtarë të këtyre bandave kriminale”.

Gjithashtu deputeti kërkoi vendosjen para përgjegjësisë penale të “personit që urdhëroi futjen e forcave speciale (FNSH) në oborrin e Parlamentit”, duke i akuzuar për kanosje dhe dhunë ndaj deputetëve të opozitës, referuar episodit të videos me efektivin që vuri dorën në brez dhe që Policia tha se ishte spraj dhe jo armë.

“Ata janë ushtarë të bandave, ministri i Brendshëm, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtori i Policisë së Tiranës, nuk janë në fokusin tim, unë merrem me bandat, jo me anëtarët bandave, nuk u përgjigjem anëtarëve të bandave. Ata janë ushtarët të bandave që sulmojnë deputetët e opozitës në oborrin e Parlamentit dhe s’kishte ndodhur kurrë”, u shpreh deputeti.

Në fund ai kërkoi hetimin dhe zbulimin e përgjegjësit që urdhëroi futjen e Policisë në oborrin e Parlamentit, që ndalohet me ligj.

“Kushdo që ka urdhëruar futjen e forcave speciale në territorin e Parlamentit, të vendoset dhe do vendoset para përgjegjësisë penale. Degradimi në këto nivele i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit është i frikshëm. Nuk luftojnë krimin e organizuar, por merret me gratë e opozitës”, tha Bardhi.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Linds: 18/10/2024 15:35

    I semuri psiqik Gazmend Bardhi eshte ushtari fanatik dhe shume i betuar i bandes trafikante terroriste kriminale te familjes Berisha dhe ai vete si kriminel i Elbasanit qe eshte duhet e ishte ne burg dhe jo ne parlament!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?