Në praninë e ministres së Kulturës, Elva Margaritit dhe dy drejtorëve të rinj të Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Altin Basha dhe Gjergj Prevazi, është çelur edhe për këtë vit thirrja për Fondin e Teatrit për të Rinj të administruar nga Teatri Eksperimental Thirrja e do të jetë e hapur deri në 21 mars, ndërsa shfaqjet do të mbahen përgjatë gjithë vitit në kryeqytet dhe jashtë tij, në rrethe.
Drejtori i ri i Teatrit Eksperimental gjatë fjalës së tij, tha se platforma e tij synon produksione të teatrit bashkëkohor, nga vendi, rajoni dhe më gjerë.
“Kjo platformë synon përshtatjen me një qasje më bashkëkohore të produksioneve, çka do tu jepte një hapësirë edhe jashtë vendeve produksioneve tona. Kjo përmes përmirësimit të estetikës dhe rritjes së nivelit për përshtatjen me tregun ndërkombëtar. Pra, pavarësisht tregut të vogël brenda kufijve, do të synojmë që shfaqjet tona, të shkojnë fillimisht drejt festivaleve rajonale, e më pas në Evropë e më gjerë”, u shpreh drejtori i ri i TKEKS.
Gjatë vitit të kaluar buxheti i Fondit të Teatrit për të rinj ishte 10 milionë lekë, ndërsa pati edhe 16 fitues, ndër ta edhe artistë të skenës të afirmuar, kryesisht sa i përket pjesëve dramatike.
Fituesit i përzgjodhi gjatë vitit që lamë pas Bordi i Teatrit Eksperimental, që këtë vit me ndërrimin e drejtorit, do të ketë emra të rinj.