Ministria e Arsimit dhe Sportit, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, prezantoi në një takim me mësuesit Kodin e ri të Etikës për Mësuesit, i cili përcakton parime të qarta profesionalizmi, integriteti dhe bashkëpunimi, duke forcuar marrëdhëniet e respektit mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve dhe duke vendosur standarde të reja dhe të matshme për cilësinë e mësimdhënies.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se Kodi i Etikës është një dokument që shkon përtej kuadrit administrativ dhe theksoi procesin gjithëpërfshirës në hartimin e tij, ku janë dëgjuar dhe përfshirë aktorët kryesorë të arsimit.
“Sot prezantojmë Kodin e ri të Etikës për Mësuesit, një dokument që nuk është thjesht një udhëzim administrativ, është një udhërrëfyes, një busull morale dhe profesionale për çdo mësues shqiptar. Ky kod është ndërtuar duke dëgjuar protagonistët, e kemi diskutuar gjatë për hartimin e këtij kodi me mësuesit, drejtuesit, këshillat e prindërve, kemi dëgjuar historitë, shqetësimet dhe pritshmëritë tuaja. Rezultati është një kod që bashkon traditën më të mirë shqiptare të respektit ndaj mësuesit me standardet më të mira europiane të etikës dhe integritetit. Është një kontratë e re besimi mes mësuesve, prindërve, nxënësve dhe patjetër shtetit. Një kontratë që vendos mësuesin jo vetëm si profesionist, por si lider, si model, si shembull që frymëzon një shoqëri të tërë,” u shpreh Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ministrja gjithashtu u ndal te shtyllat ku është mbështetur Kodi i Etikës për Mësuesit.
“Kodi është themeluar në tre shtylla kryesore, në integritet profesional dhe personal të mësuesit, sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve. Përfshirjen, transparencën dhe marrëdhënien me prindërit, komunitetin dhe nxënësit. Etika në rrjetet sociale dhe hapësirat virtuale: Mësuesi është një figurë publike edhe në realitetin virtual. Kemi vendosur dispozita të qarta për komunikimin me nxënësit, mbrojtjen e të dhënave dhe ruajtjen e imazhit profesional në hapësirat e rrjeteve sociale. Siguria e nxënësve është prioritet absolut për të gjithë ne. Ky kod është përfshirë për t’u hartuar edhe në planin tonë të sigurisë dhe fuqizimit të mekanizmave që ne sot kemi brenda shkollës për luftën kundër çdo forme të dhunës dhe bullizmit brenda shkollës dhe jashtë saj, ndaj mësuesi edhe përmes këtij kodi ka një rol aktiv në parandalimin e çdo forme dhune dhe diskriminimi, duke qenë pjesë integrale e mekanizmave të sigurisë brenda dhe jashtë shkollës.
Gjithëpërfshirja dhe transparenca: Ky kod thekson barazinë dhe mosdiskriminimin duke u mbështetur në standardet europiane të arsimit gjithëpërfshirës. Transparenca është e domosdoshme sidomos në marrëdhënie me prindërit dhe komunitetin. Etika në veshje dhe sjelljet publike: Mësuesi duhet të ketë një paraqitje profesionale të denjë për misionin e tij, ai përfaqëson shkollën edhe jashtë mureve të saj.” deklaroi Ministrja, Manastirliu.
Në fund të fjalës së saj, Manastirliu përmblodhi mesazhin kryesor të këtij dokumenti, duke e konsideruar mësuesin një figurë kyçe jo vetëm brenda shkollës, por edhe në komunitet.
“Kodi i jep mësuesit një rol që shkon përtej klasës; ai është udhëheqës, model për nxënësin, partner i prindërve dhe një zë i fortë i komunitetit', tha ajo.
Manastirliu tha se ky Kod është i nevojshëm për të garantuar që shkolla të formojë jo vetëm profesionistë, por edhe qytetarë të përgjegjshëm e të barabartë dhe për këtë na duhen mësues me integritet, të pajisur me parime të qarta dhe standarde të reja.
Komente
