Ekonomi

Prezantohet përfaqësuesi i ri i Përhershëm të Zyrës së BB-së në Shqipëri, Sejko: Të forcojmë bashkëpunimin

3 Qershor 2021, 14:42| Përditesimi: 3 Qershor 2021, 14:43

  • Share

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë,Gent Sejko zhvilloi një takim me një delegacion të Bankës Botërore (BB). Qëllimi i takimit ishte prezantimi i Përfaqësuesit të ri të Përhershëm të Zyrës së BB-së në Shqipëri, Emanuel Salinas.

Emanuel Salinas i është bashkuar BB-së në vitin 2005 dhe pasi ka përfunduar me sukses misionet në Bosnje Hercegovinë dhe Mal të Zi, do të fillojë nga detyra në Shqipëri, nga data 1 korrik 2021.

Ai  do të zëvendësojë në këtë detyrë Maryam Salim, e cila po përfundon me sukses mandatin e saj 4-vjeçar si përfaqësuese e përhershme e BB në Shqipëri.

Fillimisht, Guvernatori Sejko i drejtoi një falënderim të veçantë për Maryam Salim, për kontributin e dhënë gjatë këtyre viteve dhe disa iniciativave specifike të  ndërmarra në fushat e reformimeve programore dhe politike.

Një falënderim i veçantë ju drejtua nga Guvernatori Sejko edhe Bankës Botërore, për asistencën teknike që i ka ofruar Bankës së Shqipërisë, kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, sistemeve të pagesave dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Në vijim, Guvernatori kreu një ekspoze të panoramës ekonomike në vend të fokusuar në ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike, zhvillimet në sistemin financiar e bankar, si dhe pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë në të ardhmen. Ai prezantoi më tej masat e marra nga Banka e Shqipërisë në përgjigje të goditjes së krijuar nga pandemia, ku mund të përmendet rritja e stimulit monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, si dhe ndryshimet në kuadrin rregullator, të cilat patën për qëllim lehtësimin e shtyrjes së përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi.

Përfaqësuesit e BB-së vlerësuan pozitivisht politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë në përgjigje të situatës së krijuar nga COVID-19, si dhe për kontributin e saj  në reduktimin e kredive me probleme, në përmirësimin e ambientit të kreditimit e kuadrit mbikëqyrës e rregullator, dhe përafrimin e tij me standardet më të mira ndërkombëtare. Më në veçanti u vlerësuan politika e Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit dhe shëndetit të bankave, pavarësisht sfidave dhe vështirësive me të cilat u përball Shqipëria gjatë periudhës së pandemisë dhe më herët. Gjithashtu, ata përgëzuan Guvernatorin Sejko për angazhimin e shprehur gjatë zbatimit të projekteve të përbashkëta, të cilat kanë rezultuar mjaft të suksesshme.

Nga ana e tij, Salinas u shpreh se do të angazhohet që programet e  asistencës teknike dhe thellimi i mëtejshëm i  bashkëpunimit ndërinstitucional të vijojnë të zbatohen me sukses edhe gjatë mandatit të tij.Në përfundim, bashkëbiseduesit diskutuan mbi projektet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë, të cilat mund të mbështeten nëpërmjet asistencës teknike të ofruar nga Banka Botërore.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?