Prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’, ministrja Muzhaqi: Aplikantët do angazhohen në terren

28 Korrik, 13:05| Përditesimi: 28 Korrik, 15:38

  • Share

Partia Socialiste ka prezantuar në Kongres platformën ‘Deputeti që Duam’. Prezantimi i platformës u bë nga ministrja Bora Muzhaqi, një figurë e zgjedhur jo rastësisht për të lançuar këtë nisëm, pasi vetë Muzhaqi është zgjedhur nga një platformë e tillë për të kandiduar si deputete në zgjedhjet parlamentare 2021, ndërsa sot mban postin e ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.

Platforma ‘Deputeti që Duam’ do jetë e hapur duke nisur nga sot, për profesionistët, gratë, diasporën, rininë. Muzhaqi, e cila do të jetë edhe përgjegjëse për këtë platformë, tregoi edhe mënyrën e aplikimit.

“Aplikimi është i thjeshtë, platforma ‘deputeti që duam.al’ hapet sot dhe mbetet e hapur. Një formular i thjeshtë, jetëshkrimi juaj, dy letra reference dhe video e shkurtër e realizuar nga kandidati. Një risi këtë vit është se do u jepet mundësi aplikantëve të vendosin theksin te një temë që e kanë përzemër, mund të jetë një çështje që mendon se PS nuk e trajtuar mjaftueshëm apo si duhet. Do u jepet koha dhe mundësia të angazhohen në terren dhe rrjete sociale për të treguara aftësitë e tyre”, tha Muzhqi.

Risia e kësaj platforme për këto zgjedhje është mundësia që u jepet kandidatëve të vendosin theksin tek një temë që e kanë për zemër, e cila mund të jetë një çështje që kandidati mendon se PS nuk e ka trajtuar sa dhe si duhet. Kandidatët gjithashtu do të kenë kohë për t’u angazhuar edhe në terren dhe në rrjetet sociale për të treguar aftësitë e tyre komunikuese, organizative, bashkëvepruese me ndjekësit që do të bëjnë për vete gjatë këtij procesi.

Një tjetër risi e kësaj platforme është edhe opsioni konfidencial i cili i lejon mundësinë e aplikimit të gjithë atyre që janë të angazhuar në organizata ndërkombëtare apo kanë angazhime të larta në sektorin privat në Shqipëri apo jashtë vendit. Ky opsion u jep atyre kohë për të pjekur mendimin e angazhimit publik duke testuar seriozitetin e kësaj platforme.

Aplikimi është fare i thjeshtë përmes faqes deputetiqeduam.al dhe përmban një formular të thjeshtë, jetëshkrimin e kandidatit, dy letra reference nga dy mbështetës të kandidatit dhe një video e shkurtër e regjistruar nga vetë kandidati.

Muzhaqi theksoi se “shumë prej atyre që i duhen Partisë Socialiste për Shqipërinë 2030, e dyshojnë angazhimin partiak, mendojnë se politika është vetëm për politikanët që gabimisht besohet se janë të gjithë njësoj”. Megjithatë, ajo shprehu bindjen se “mund t’ia dalësh dhe se asgjë nuk është më e fortë sesa qëllimet e pastra dhe e vërteta e punëve të mira” dhe kjo është fuqia që motivon platformën "Deputeti që Duam".

Muzhaqi ftoi të gjithë profesionistët e çdo fushe që janë të bindur se mund të japin më shumë ekspertizë për ligjshmërinë, ekonominë, financat, bujqësinë, mjekësinë, arsimin, shkencën, teknologjinë dhe që besojnë se mund të ndikojnë në forcimin e rendit ligjor, në rritjen ekonomike, drejtësinë sociale dhe zhvillimin teknologjik, të aplikojnë te "Deputeti që Duam" dhe të japin kontributin e tyre për Shqipërinë 2030.


Lajmi kryesor:

Kongresi i PS/ Delegatët votuan për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?