Kultura

Strategjia e re e kinematografisë shqiptare! Metalurgjiku, studio për produksione filmash vendas e të huaj! Hiqet “penalizimi”, QKK formulë të re pikëzimi për filmat

29 Korrik, 16:37| Përditesimi: 29 Korrik, 19:31

  • Share

Qendra Kombëtare e Kinematografisë tashmë operon mbi rregulla të reja, ndërkohë që së shpejti do të kemi një ligj të ri për industrinë audiovizuale. Në një takim informativ me kineastë, është shpalosur platforma e re e QKK-së dhe rregullorja e re e aplikimit dhe financimit, si dhe strategjia e re për industritë kreative dhe audiovizuale. Ashtu siç është diskutuar dhe më herët, Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të zgjerohet dhe nuk do të jetë më një qendër me fokus vetëm prodhimin filmik. Nën emërimin Agjenci ajo të përfshijë prodhime audiovizuale në një fushë më të gjerë.

“QKK është një institucion që financon filma, tani ka lindur nevoja që gama e financimeve të zgjerohet më tepër. Zgjerimi i mbështetjes financiare për serialet televizive, video-lojërat, realiteti virtual dhe i shtuar (VR/AR).  Objektivi është ndërtimi i një industrie audiovizuale të qëndrueshme, konkurruese dhe të integruar në tregun evropian.  Ligji i ri për audiovizualin është nevojë imediate dhe kemi nisur punë paraprake. Shpresojmë në shtator që të gjejmë konsensus dhe miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”, - tha kryetari i QKK-së, Jonid Jorgji.

Hartimi i strategjisë së re të audiovizualit vjen pas diskutimeve me komunitetin dhe në bashkëpunim me MEKI, British Council e ekspertë ndërkombëtarë. Pika kryesore në këtë strategji është buxheti i rritur dhe i qëndrueshëm.

Krijimi i “Albanian Film Commission” është një tjetër pikë e parashikuar, gjë e cila është artikuluar prej kohësh.

“E vërteta është që duhet diçka më kombëtare, më e përfshirë në përthithjen e produksioneve të huaja në Tiranë dhe promovimin e lokacioneve dhe faciliteteve që arrijmë t’u japim këtyre produksioneve.”, - tha Jorgji.

Sipas tij, krijimi i këtij institucioni tërheq produksione ndërkombëtare dhe promovon Shqipërinë si destinacion filmik, gjë që lidhet edhe me implementimin e “tax rebate”.

“Bashkë me Albanian Film Commision vjen dhe kthimi i taksës mbrapsht, ajo taksë që vazhdojmë e themi prej kohësh, e që është pjesë e ligjit për të cilën po punohet. Kjo pikë së shpejti do të parashiohet nga ligji dhe gjithë produksioneve shqiptare në bashkëpunim me produksionet e huaja do t’u kthehet një përqindje e caktuar, që është thënë 31 përqind, edhe pse ende e papërcaktuar saktë.”

Nga Jorgji dhe ministri i MEKI, Blendi Gonxhja u bë me dije se do të ketë mbështetje financiare, por jo vetëm edhe për programe mësimore, si: “Marubi” e “Catalyst”.

“Duhet të punojmë për pjesën akademike, për ata pak fatlumë që do të konkurrojnë në këto shkolla, t’i njohim si realitete dhe si numra. Duhet të shohim potencialin e lartë dhe cilësinë. Këto fonde duhet të ndahen nga fonde të industrisë, që shteti duhet t’i njohë.”, - tha Gonxhja.

Krijimi i një platforme për gjithë kineastët dhe lokacionet që ofron vendi, por dhe produksionet dhe studio rental, që mund të aksesohet nga çdo produksion i huaj ishin një tjetër pikë për të cilën u diskutua, ashtu si dhe krijimi i një zyre për thithjen e studiove të mëdha filmike si dhe për krijimin e hapësirave për to, qofshin të huaja apo shqiptare.

“Ka nevojë për një zyrë të dedikuar në QKK për të sjellë shtëpi të mëdha filmike që të vendosen në Shqipëri, si Netflix, Amazon, Disney etj. Kemi filluar të punojmë me qreverinë përveç një pakete fiskale, një paketë për hapësira ku mund t’i vendosim këto studio që kërkojnë sipërfaqe të madhe dhe kemi lokalizuar dhe jemi në bashkëpunim sa i përket Kombinatit Metalurgjik në Elbasan.”, - tregoi Jorgji.

Rijetësimi i kinemave ekzistuese në vend dhe krijimi i një rrjeti të organizuar për shpërndarjen e filmit shqiptar është një tjetër gjë e parashikuar në strategji.

“Shteti dhe bashki të ndryshme kanë filluar të rijetësojnë kinema, jo vetëm në Tiranë por dhe në qytete të tjera. Do të krijojmë një sistem, ku prodhimet shqiptare apo bashkëprodhimet të qarkullojnë në këto kinema dhe kështu rrisim monetiziminm, të ardhurat që këta filma sjellin.”

QKK ndërkohë është duke punuar për dy marrëveshje, e para, që pritet të miratohet shumë shpejt është ajo e bashkëprodhimit me Francën, me CNC, që do të financojë projekte dypalëshe mes dy vendeve. Ndërsa marrëveshja tjetër  katërpalëshe rajonale, “Balcanica” është në fazë diskutimesh dhe përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut. 

“Përfshin fond të përbashkët për prodhime filmike, të krijohet një platformë me në qendër Tiranën që do të ndihmojë në bashkëprodhim filmash e të nxisë programet e edukimit për kinesatët, si dhe të krijojë një rrjet tjetër kinemash në të gjithë rajonin.”, - bëri me dije Jorgji.

Synimi është kthimi i Shqipërisë në qendër dinamike të audiovizualit në rajon. Një pikë me shumë rëndësi për komunitetin është ajo e ndryshimeve të rregullores së QKK-së, gjë që ka ardhur pas dëgjesave e shqetësime të kineastëve.

Kështu, në vijim, Komisioni i Miratimit të Projekteve do të jetë një i vetëm dhe jo disa komisione për gjini të ndryshme të filmit. Ky komision do të përbëhet nga 5-7 anëtarë dhe do të rishikohet mënyra se si zgjidhen këta anëtarë komisioni. Ndërkohë, ndarja e buxhetit do të bëhet sipas gjinive kinematografike, duke e bërë më të qartë për producentët. Sa i përket kineastëve që aplikojnë, nuk do të ketë më detyrim për aplikim në Eurimages, edhe pse diçka e tillë përbën avantazh.

Sistemi i pikëzimit do të ndryshojë, duke i dhënë 80 përqind të vlerës së aplikimit: skenarit, regjisë e produksiont dhe 20 përqind të shkuarës së aplikantëve, pasi pikëzimi i deritanishëm ka penalizuar kreativitetin dhe është diskriminues.

Kriteret për ‘co-minority’ do të thjeshtohen me një element të detyrueshëm. Një nga kërkesat që ka hasur problematika ka qenë që regjisorët duhej të ishin regjisorë të afirmuar, kriter që tashmë hiqet.

Ndërsa përsa i përket regjisorëve debutues për filma të shkurtër ata duhet të kenë diplomë në regji ose të kenë realizuar filma të pranuar në festival, për të ruajtur një nivel minimal profesionalizmi.

Për regjisorët debutues në filma të gjatë, nuk duhet patjetër diplomë, por duhet të ketë realizuar dy filma të shkurtër të mbështetur nga fonde publike ose që të jenë përzgjedhur në festival, ndërsa producentët e rinj duhet të kenë përvojë në prodhim filmash.

 

 

B.G/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Më i votuari i listës së hapur, a mendoni se mandati i takon Adriatik Lapajt?