U prezantua ditën e sotme në Shkodër projekti hekurudha ‘Kuq e Zi’, e cila do të lidh Prishtinën me Durrësin. Në fjalën e tij, Ministri i Financave Petrit Malaj, tha se financimi për këtë projekt do të kalojë në disa faza.
Malaj bëri me dije, se pak ditë më parë është nënshkruar edhe marrëveshja me bankën europiane për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë.
‘Ky është një projekt madhor që ka një kosto të konsiderueshme dhe financimi do të kalojë në disa faza. Vlerësimi në rritje i Shqipërisë nga agjencitë prestigjoze e klasifikojnë ekonominë shqiptare si me qëndrueshmëri të lartë. Ne jemi optimist se kemi hapur tashmë trasen, kemi hedhur një hap përpara atë të realizimit të studimit të fizibilitetit që është financuar përmes buxhetit të të dyja vendeve tona. Ne po vijojmë që të mbështetim me financime projekte që kanë një rëndësi të veçantë këtu përmendim linjën hekurudhore Durrës-Rrogozhinë që është pjesë e korridorit të 8 dhe që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut për të cilën pak ditë më parë u nënshkruan marrëveshja me bankën Europiane të investimeve apo edhe projekti që ka të bëjë me rehabilitimin e linjës hekurudhore Vurë -Hani i Hotit.
Linjat hekurudhore do të rrisin ndjeshëm efikasitetin në transport, si për mallrat, ashtu edhe për udhëtarët. Ato do të sjellin ulje të kostove logjistike, kursim kohe dhe rritje të konkurueshmërisë të sipërmarrjeve tona prodhuese dhe eksportuese, por gjithashtu edhe do të rrisin aksesin më të shpejtë e më të lirë drejt tregjeve më të mëdha. Linja hekurudhore Durrës–Prishtinë është një hap i guximshëm drejt një të ardhmeje ku lëvizshmëria, tregtia dhe bashkëpunimi do të rrëzojnë kufijtë dhe do të krijojnë mundësi të reja për qytetarët e kombit tonë', tha ai.
Për kryebashkiakun e Shkodrës Benet Beci, ndërtimi i kësaj hekurudhe do të jetë një mundësi e madhe për zhvillimin e rajonit.
‘Është një ëndërr që po bëhet realitet, dua të vlerësoj të dyja qeveritë atë të Shqipërisë dhe Kosovës. Traseja do të kalojë në Shkodër, për t’u lidhur me Tropojën Gjakovën dhe më të gjithë Kosovën. Hekurudha do kalojë mes përmes qarkut të Shkodrës. Është një mundësi e madhe për zhvillim e rajonit, pasi Shkodra mund të bëhet një nyje e rëndësishme infrastrukture. Segmenti 100 km shkodër gjakovë do të përshkohet në më pak se një orë me 7 stacione gjatë rrugës', tha ai.
Një investim që do të krijojë një impakt të madh në lidhjen mes dy vendeve, e cilësoi Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës.
‘Rruga e Kombit ka pasur një impakt të madh në lidhjen e shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Dhe kjo hekurudhë do të krijojë një lidhje me rëndësi’, tha ajo.
Hekurudha që lidh Durrësin me Prishtinën, ka rëndësi jo vetëm për transportin e mallrave dhe qytetarëve por do të përdoret edhe për qëllime ushtarake. Hekurudha pritet të kalojë pjesërisht në gjurmën ku do të ndërtohet hekurudha Vorë-Hani i Hotit, pritet të kalojë nga Durrësi, drejt Milotit, Mjedë, Shkodër, Gjakovë dhe më pas në Prishtinë.
Komente
