Prezantohet projekti për rijetësimin e Sarajeve! Veliaj Ta kthejmë në Muzeun Etnografik të Tiranës

5 Maj 2023, 13:04| Përditesimi: 5 Maj 2023, 13:25

  • Share

Prezantohet projekt-ideja për kthimin e godinës së Sarajeve të Toptanëve në Muzeun Etnografik të Tiranës. Projekti, i cili ka për qëllim rijetësimin e godinës në një vlerë të shtuar të Tiranës, do të ruajë vlerat kulturore e tradicionale të qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Kulturës, Elva Margariti morën pjesë në prezantimin e projektit të Sarajave. Veliaj tha se kjo ndërtesë do të transformohet për të përfaqësuar identitetin e Tiranës.

 “Çfarë është identiteti? Se ka shumë njerëz që thonë duam identitetin e Tiranës. Përgjigja e saktë është: Varet kë pyet! Se për disa identiteti i Tiranës është shtëpia me puse e caracë dhe më vjen mirë që këtu do të riaktivizohet edhe pusi, edhe caraci. Por, prapë varet kë pyet, se disa të tjerë nuk e lidhin identitetin e Tiranës me pusin, caracin, por e lidhin si ‘Ali Demsa’, ‘Xhamlliksa’, ‘Lapraksa’. Për disa gjëra ne kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. Kur vjen puna për faktet janë të gjitha kokëfortë: Një ndërtesë e tillë përfaqëson identitetin e Tiranës, meritonte të shpronësohej dhe të kalonte në pronësi të Tiranës”, deklaroi Veliaj.

Ai zbuloi se projekti MET (Muzeu Etnografik i Tiranës) do të zhvillohet nga e njëjta studio që realizoi Muzeun Marubi dhe Muzeun e Gjirokastrës. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se pas Pazarit të Ri, Muzeu Etnografik i Tiranës është jetë një tjetër projekt i rëndësishëm kulturor që zhvillohet në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.

“Pazari i Tiranës është një nga projektet më të suksesshme të rikualifikimit të gërmadhave, të vendeve të cilat kishin një histori, një potencial, por që komuniteti nuk ishte lidhur me to, duke i shfrytëzuar vërtet për zhvillimin ekonomik të përditshëm të familjeve të tyre. Kjo është edhe ajo që duam të bëjmë edhe këtu, në Muzeun Etnografik. Kjo nuk është thjesht një glorifikim i veprave të bukura që bën Ministria e Kulturës, bashkë me Bashkinë e Tiranës, por është glorifikimi i të gjitha vlerave të identitetit tonë kombëtar,” u shpreh ajo.

Arkitekti Jesus Hernandez zbuloi disa nga detajet e projektit.

“Koncepti është frymëzuar nga tradita e Tiranës. Kjo është shumë frymëzuese për ne, prandaj e kemi ndarë në tre pjesë. E para është ndërtesa, e cila sot është bosh, por ka rëndësi për trashëgiminë kulturore. Pjesa e koleksioneve sepse ka shumë elementë në këtë qytet që janë shumë të rëndësishëm të tregohen para njerëzve. Po ashtu, është shumë e rëndësishme të përfshijmë njerëzit, audiencën, publikun. Koncepti tjetër që kemi menduar është ai i kulturës dhe me kulturën, e kulturës së veshjes, por edhe muzika, kuzhina.  Këto janë aspekte të lidhura me kulturën e Tiranës. Elementi i fundit është pjesa e thurjes e së kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes. Zakonisht muzetë punojnë me të kaluarën dhe të tashmen, por ne mendojmë se muzeu duhet të shohë edhe të ardhmen,” shpjegoi Hernandez.

Sarajet është një nga objektet më të rëndësishme dhe të veçanta në Tiranë. Shtimi dhe mbrojtja e këtij aseti turistik e kulturor është një mision i padiskutuar për zhvillimin e mëtejshëm për Tiranën.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bashkim Zugri: 05/05/2023 17:34

    Kulture dhe respekt per traditen nuk mund te behet as me objekte as ne objekte te vjedhura.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?