Zyrtarë të lartë shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të trupit diplomatik u mblodhën sot, në Tiranë, për të diskutuar arritjet në zbatimin e rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në Shqipëri, dhe hapat e mëtejshëm.
Sipas deklaratës për shtyp, veprimtaria u organizua nga Prezenca e OSBE-së dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
“Shqipëria miratoi Planin Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në vitin 2018 dhe punon ngushtë me OSBE-në për ta përkthyer përkushtimin e saj ndaj grave në siguri në një kontribut të vërtetë e të prekshëm.
Ne jemi plotësisht të gatshëm të mbështesim vendin në zbatimin e rezolutës 1325”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Bernd Borchardt.
Në konferencën, ku folën edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ajo e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, u treguan praktikat më të mira në zbatimin e planeve kombëtare të veprimit për rezolutën 1325 në Ballkanin Perëndimor.
Pjesëmarrësit diskutuan për rolin e institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, partnerëve ndërkombëtarë të zhvillimit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare që të çojnë përpara të axhendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Ata theksuan nevojën për struktura të efektshme, të cilat u mundësojnë grave pjesëmarrjen aktive në proceset e paqes dhe në veprimtaritë afatgjata për ndërtimin e paqes.
Studimi më i fundit i OSBE-së “Zbatimi i axhendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në rajonin e OSBE-së është një pikënisje e mirë në këtë drejtim.
“Shqipërinë renditet në mes të vendeve europiane në indeksin e barazisē gjinore, por në fusha të caktuara, sikundër është parandalimi i konflikteve, diplomacia, etj, edhe pse janë bërë hapa përpara, ekzistojnë ende pabarazitë dhe diskriminimi gjinor, që pengojnë përpjekjet tona për krijimin e mundësive të barabarta për gratë, burrat, vajzat dhe djemtë”, është shprehur Manastirliu.
Duke deklaruar se zhvillimi i demokracisë dhe sigurimi i paqes nuk mund të arrihen pa një përfshirje, përkushtim dhe punë të përbashkët të burrave dhe grave, Manastirliu tha se Shqipëria ka bërë përparime në drejtim të barazisë gjinore.
“Indeksi i barazisë Gjinore 2020 në Shqipëri” e rendit Shqipërinë të 17-n ndër 28 vendet e BE dhe 2 vende të Ballkanit Perendimor në indeksin e barazisë gjinore, por zbutja e hendekut gjinor mbetet ende një sfidë, për të mos e konsideruar barazinë gjinore si një ëndërr e brezave që do vijnë”, tha Manastirliu.
Gjatë fjalës së saj, Manastirliu tha se një tjetër tregues i rëndësishëm i përpjekjeve të qeverisë shqiptare drejt barazisë gjinore është edhe raporti i Indeksit Global të Hendekut Gjinor të Forumit Ekonomik Botëror të vitit 2020, i cili tregon se: Shqipëria aktualisht renditet në vendin e 20 nga 153 vende, krahasuar me vendin e 34-t që ishte në vitin 2018, me përmirësime të dukshme në pjesëmarrjen dhe përfaqësimin politik të grave.
20 vjetori i Rezolutës 1325, e gjen vendin tonë të angazhuar për të përmushur objektivat e “Planit të Veprimit për zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara “Për gratë, paqen e sigurinë”, miratuar për herë të parë në shtator të vitit 2018.
Hartimi dhe miratimi i këtij plani e renditi Shqipërinë në hartën e 82 vendeve në botë, si dhe mes 36 vendeve anëtare të OSBE që kanë një plan veprimi për Rezolutën 1325, duke thelluar angazhimet e Shqipërisë në Agjendën Gruaja Paqja Siguria.