Gjykata e lartë e Londrës vendosi se Princ Harry kishte rënë pre e hakerimit të telefonave celularë nga botuesit “Mirror Group”. Si dëmshpërblim, ai do të marrë një shumë prej 140 mijë e 600 paund. Trupi gjykues ka konstatuar se celulari i djalit të vogël të mbretit Karl i Tretë është hakuar midis viteve nga 2003-2011.
Në total u zbuluan 15 nga 33 artikuj ku ishin përdorur metoda të paligjshme të mbledhjes së informacionit, si hakerimi i telefonit dhe përdorimi i hetuesve privatë. “Mirror Group” lëshoi një deklaratë duke kërkuar falje “pa rezerva” pasi vite më parë ka ndodhur keqbërje historike, raporton BBC.
"Unë kam konstatuar se 15 nga 33 artikujt që u provuan ishin produkt i hakërimit të telefonit të celularit të tij ose celularëve të bashkëpunëtorëve të tij, ose produkt i mbledhjes së informacioneve të tjera të paligjshme. Unë konsideroj se telefoni i tij është hakuar vetëm në një masë modeste dhe se kjo ndoshta është kontrolluar me kujdes nga njerëz të caktuar në çdo gazetë. Megjithatë, kjo ndodhi në disa raste nga fundi i vitit 2003 deri në prill 2009 (që ishte data e artikullit të fundit që shqyrtova). Kishte një tendencë që duka në provat e tij të supozonte se gjithçka e publikuar ishte produkt i përgjimit të postës zanore, sepse hakimi i telefonit ishte i përhapur brenda Mirror Group në atë kohë. Por, hakerimi i telefonave nuk ishte i vetmi mjet gazetaresk në atë kohë dhe pretendimet e tij në lidhje me 18 artikujt e tjerë nuk i qëndruan analizave të kujdesshme", tha gjyqtari.
Duka i Sussex-it dhe tre pretendues të tjerë paditën grupin e gazetave britanike, që botoi The Daily Mirror, The Sunday Mirror dhe Sunday People, duke pretenduar se gazetarët e botuesit përdorën mjete të paligjshme për të mbledhur informacione për jetën e tij për rreth 15 vjet, raporton BBC.
Princi u bë anëtari i parë i lartë i familjes mbretërore britanike që dha dëshmi në një gjyq në më shumë se 130 vjet. Princi Harry pati pretenduar se shtypi në Mbretërinë e Bashkuar i ka shkatërruar jetën.
Përndjekjen e vazhdueshme të mediave ishin “faktori kryesor” sipas Harry që e çoi atë në ndarjen me të dashurën prej shumë kohësh, ChelsyDavy.
Duka i Susexx tha se fotografët ishin gjithnjë pas tyre dhe se nuk e dinte sesi ata arrinin të merrnin vesh se ku ndodhej deri sa dyshoi mbi përgjimin e celularit të tij.