Bota

Princi Philip dhe gratë "e tjera": Tradhtitë, skandalet, fama e playboy

10 Prill 2021, 17:12| Përditesimi: 10 Prill 2021, 17:19

  • Share

Burri i Mbretëreshës Elizabeth, sa i dashur për publikun ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave, për shkak të dyshimeve për marrëdhënie jashtëmartesore.

Mbretëresha e Britanisë së Madhe ka qenë në prag të divorcit me Princin Philip, plot 63 herë, deklarojnë mediat ndërkombëtare një ditë pasi u nda nga jeta Duka i Edinburgut në moshën 99 vjeçare.

Kjo statistikë tejet e rrezikshme është bërë e ditur në një dokumentar televiziv të fundit. Por nëse sovranit do t’i duhej vërtet të mendonte për divorc çdo herë që shtypi britanik ose amerikan shkruante për krizat e tyre martesore ose lidhjet e burrit të saj, në të vërtetë në 73 vjet martesë, mundësitë për t’u ndarë do të kishin qenë më shumë. Krizat, natyrisht nuk kanë munguar,  mbi të gjitha për shkak të intolerancës së Filipit ndaj protokollit që e bënte atë të dukej deri diku i parëndësishëm dhe kjo i ndodhte pikërisht atij, një personi që ishte i mësuar me pavarësinë dhe komandën.

Sa i përket miqësive të tij me gra simpatike, nuk është mister që duka gjithmonë ka dashur dhe ka kërkuar shoqërinë e grave. Por shtypi nuk gjeti kurrë ndonjë provë, asnjë fotografi që dokumentonte marrëdhënie klandestine. Njerëzit pranë tij gjithmonë e kanë mohuar dhe Pallati po ashtu. Me pak fjalë nëse ka pasur shkelje, mbretëresha ka zgjedhur të bëjë njërin sy qorr. Për më tepër, vetë Filipi, tha se Elizabeta ishte gjithmonë "shumë i durueshëm dhe tolerantë me të".

I bukur, simpatik dhe përherë i rrethuar nga vajza

Kur Philip u fejua me Elizabeth ajo ishte shumë e re dhe ende e pafajshme, ai ishte vetëm 25 vjeç, gjashtë vjet më i madh, por një njeri i botës.  I pashëm, i gjatë, biond dhe për më tepër ka udhëtuar nëpër botë me anijet e Marinës Mbretërore si oficer, ka luftuar por gjithashtu ka marrë pjesë në  organizime dhe festa familjare  të rëndësishme. Ai rrjedh nga një familje mbretërore, ajo greke, edhe pse pa kurorë dhe të ardhura .

Philip ndoqi shkolla dhe akademi të shkëlqyera. Por aty ku gjendej princi, ishte e pamundur të mos gjendej një grup vajzash. " Një tufë vajzash" deklaronte Mike Parker, shoqëruesi i tij në akademinë ushtarake,  më vonë sekretari dhe i besuari i tij personal. Sigurisht një nga më të besuarit e sekreteve të princit, i cili pse edhe i martuar mbeti gjithmonë njeriu që i pëlqente të flirtonte dhe të argëtohej. Personi që dashuronte vallëzimin dhe shakatë, edhe para gruas së tij e cila ishte shumë e ndrojtur dhe nuk i pëlqente të shfaqej.

Thashethemet për Pat Kirkwood, balerinën e cila mori vëmendjen e të gjithëve

Një nga thashethemet e para që solli në qendër të vëmendjes Princin kishte të bënte të bëjë me Pat Kirkwood,  aktore, këngëtare dhe balerinë shumë e famshme pas Luftës së Dytë Botërore,  jo vetëm në Mbretër,  por edhe në Shtetet e Bashkuara. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1948, kur Duka i Edinburgut ishte ende një oficer i Marinës Mbretërore në atë dhe bashkëshorti i Princeshës së Kurorës, e cila në atë kohë ishte shtatzënë me fëmijën e saj të parë. Pas një shfaqje në Hipodrom Philip u paraqit me Kirkwood në dhomën e saj të zhveshjes. Dhe pastaj të dy shkuan për të darkuar së bashku në restorantin Les Ambassadeurs në Mayfair, ku ata do të bisedonin dhe kërcenin gjithë natën. Prej atëherë sipas kronikave të korrespondentit anglez të Baltimore Sun, të dy do të kishin filluar një frekuentim të rregullt për vite me radhë duke u takuar në një apartament në West End, apartament i vendosur në emër të një grup, por që përdorej nga të dy. Pat Kirkwood do të bëhej e dashura e Philipit dhe ai madje do t'i dhuronte asaj një Rolls Royce. Aktorja kaloi dekadat në vijim duke mohuar marrëdhënien dhe në një moment ajo u ndie e detyruar t'i shkruante mbretëreshës.  Philip thellë-thellë ishte kënaqur që shoqërohej me një nga gratë më të famshme të momentit dhe kurrë nuk shqetësohej të mohonte asgjë.

Klubi për burra dhe çështja me Mike Parker

Periudha në të cilën flitej për një krizë të thellë mes çiftit mbretëror ishte gjatë udhëtimit të Dukës në bordin e anijes Britannia, nga tetori 1956 deri në shkurt 1957. Një udhëtim 4-mujor për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike që mbaheshin në Australi dhe për të vizituar shumë vende të largëta të Komonuelthit. Por për Philip ishte gjithashtu mundësia për t'i shpëtuar kufizimeve të jetës në mbretëri dhe për t'u kthyer në jetën e tij në bordin e anijes që e donte aq shumë dhe duhej të hiqte dorë. Megjithëse nuk ishte një anije luftarake por një jaht mbretëror luksoz.

Nga fundi i udhëtimit, Mike Parker u desh të nxitonte të kthehej në Londër sepse gruaja e tij, pasi kishte mësuar për pabesitë e tij, kishte bërë kërkesë për divorc.

Lajmi zuri titujt e parë të gazetave ndërkombëtare  dhe u desh një moment që shtypi të lidhte martesën e Parker me Philip. Në media u ngre pyetja se a kishte burri i mbretëreshës gjithashtu të njëjtën mënyrë jetese si miku i tij, pasi të dy ishin pjesë e Klubit të famshëm të së Enjtes? Gjë e cila shtohej shumë, pasi një anëtar i klubit e kishte vënë apartamentin e tij në dispozicion për takimet e fshehta të dukës apo miqve të tjerë. Shkurtimisht, me atë rast u zbulua një skandal i klasës së lartë të Londrës që krijoi një siklet të konsiderueshëm për mbretëreshën dhe kurorën. Dhe për herë të parë Elizabeta autorizoi zyrtarin e saj të shtypit të thoshte: "Nuk ka asnjë  krisje në marrëdhënien e sovranes dhe dukës". Por ajo sigurisht ishte e irrituar dhe i kërkoi burrit të saj të jepte llogari për këtë gjë duke çuar në përfundimin e udhëtimit të Britannia më herët se ç’ ishte parashikuar.

Hélène Cordet dhe fëmijët misterioz

Një emër tjetër në listën e pretenduar të marrëdhënieve klandestine të Princit Philip është ai i Hélène Cordet, një grua fisnike e cila ishte një mikeshë e princit që nga fëmijëria e tyre, kur kalonin pushimet së bashku në vilën e prindërve të saj në Le Touquet.

Hélène u bë një prezantuese e BBC në vitet 1950 dhe kishte dy fëmijë pas divorcit nga burri i saj, por gjithmonë refuzoi të tregonte se kush ishte i ati i tyre.  Kur ajo kërkoi që Duka i Edinburgut të ishte kumbar për të dy, ishte e lehtë të nënkuptohej se ai ishte babai. Misteri i atësisë  vazhdoi të qëndronte në thelb për vite me rradhë derisa djali i Hélène, Maksi, një profesor i nderuar i universitetit të  ekonomisë, mohoi kategorikisht çdo lidhje gjaku me princin.

Fytyra televizive dhe fisnike

Thashethemet për lidhjet e mundshme të princit me zonjat kanë vazhduar për dekada. Madje flitej për një marrëdhënie me nënën e Sarah Ferguson, Susan Barrantes, më pas me shkrimtaren dhe poeten Daphne du Maurier, autoren e Rebekës, e cila në atë kohë ishte martuar me një major në Gardën Mbretërore. Sa i përket botës së spektaklit njihet se ai ka flirtuar me aktoret Merle Oberon dhe Anna Massey. Por edhe me prezantuesen televizive Katie Boyle. Natyrisht, edhe në rrethin e  shoqërisë së lartë, Philipi ka pasur historitë e tij , për shembull me kushërirën e tij Alexandra di Grecia dhe me dukeshën Sacha Abercorn.

Skandali Profumo dhe ‘kamerieri i zhveshur’

Një nga skandalet më të sikletshme është ajo që lidhet me skandalin Profumo, një skandal politik me një sfond seksual që u bë publik në 1963, i cili përfshiu Ministrin e atëhershëm të Luftës John Profumo dhe modelen Christine Keeler, me të cilin ministri kishte një lidhje jashtëmartesore. Në të njëjtën kohë modelja ishte edhe e dashura e një spiuni sovjetik. Qeveria u trondit pas zbulimit të këtij skandali. Një nga figurat kryesore në skandal ishte një nga personat më të përfshirë në shoqërinë e lartë, Stephen Ward, organizator i festave private. Në njërën nga këto festa ishin takuar edhe Profumo dhe Keeler. Çfarë lidhje kishte Princi Philip me një situatë të tillë? Në mes të skandalit, një gazetë satirike, Private Eye, tha se festat e gëzueshme të Ward, gjithashtu një anëtar i Klubit të së Enjtes, gjithmonë ishte pjesëmarrës një "burrë me maskë" i cili shërbente pije pothuajse i zhveshur për Dukën e Edinburgut. Zëri mbeti një zë, asgjë nga këto nuk u provua kurrë dhe pas disa kohësh nuk u fol më.

"Hakmarrja" e Zonjës D

Në vitet 1990 një gazetar e pyeti Philip  për thashethemet e shumta në lidhje me marrëdhëniet e tij jashtëmartesore dhe ai u përgjigj shkurtimisht: «A keni menduar ndonjëherë se si unë në 40 vitet e fundit, nuk kam hedhur një hap pa më shoqëruar një polic? Atëherë, si dreqin mund të bëja një gjë të tillë? 'në fakt përgjigja e tij nuk shërbeu për të ndërprerë lojën e miqësisë së princit. Loja zgjati të paktën deri në fund të viteve '90 dhe përfundoi vetëm për kufirin e moshës së Dukës së Edinburgut. Ingrid Seward, në librin "Burri im dhe unë" tregon një histori tejet shqetësuese: në mes të luftës martesore të princërve të Uellsit, kur Philip e qortoi Dianën se po shkatërronte familjen me sjelljen e saj. Pasi sipas tij ai dhe mbretëresha u kishin kushtuar jetën e tyre . Në bazë të rrëfimeve ajo përmes hetuesve privatë kishte filluar të kërkonte prova të tradhtive të mëparshme të të vjehrrit të saj. Disa kanë deklaruar se ajo madje kishte ekzistencën e fëmijëve të paligjshëm të cilët përkraheshin ekonomikisht  rregullisht. Fantazi apo jo, është një sekret që Princesha e Uellsit e ka marrë me vete në varr.  

Pikturat e Penelopës, shoqes së pleqërisë

Një nga figurat e fundit për të cilat është diskutuara është ajo e Penelope "Penny" Romsey, gruaja e Lordit Brabourne dhe 30 vjet më e re se Duka. Është e pamohueshme që ekzistonte një lidhje midis të dyve, por e një natyre platonike, e lindur nga pasione të përbashkëta, si ajo për garat në këmbë ose për vallëzim. Penny, ishte shpesh mysafire e çiftit mbretëror në fundjavë dhe ishte sigurisht e pranishme në momentet kur ata mundoheshin të mblidhnin situatën pas ndarjes së Princit Charles me Dianën. Dhe në vitet e pleqërisë kur ai nuk mund të vraponte më, ajo shpesh shihej në shoqërinë e Philipit duke pikturuar me akuarele.

A e ka ditur gjithmonë Elizabeta?

Për të qenë të sinqertë Philip nuk e ka fshehur kafshuar kurrë natyrën e tij të lirë. Ashtu siç ai kurrë nuk e privoi Elizabetën nga mbështetja dhe prania e tij. Historiani Robert Lacey shkruan në vëllimin voluminoz "Monarkja- jeta dhe mbretërimi i Elizabetës II" që duka i kishte thënë një anëtari të familjes mbretërore: "Si mund të isha i pabesë me mbretëreshën pasi ajo nuk ka asnjë mënyrë për t'u hakmarrë?" Elizabeth, nga ana e saj, gjithmonë e ka pranuar, veçanërisht në pjesën e dytë të jetës së tyre martesore, që burri i saj kishte një lloj grupi të vogël miqsh dhe të besuarish, por që ishte në dijeni se në asnjë mënyrë ai nuk do ta kishte poshtëruar ose turpëruar ndonjëherë atë.

Si përfundon Lacey, “Elizabeth e dinte se kishte të bënte me një njeri të mërzitur, i cili e kishte vështirë të jetonte 'në kafaz' dhe ishte shumë e mençur për të mos u ndier e kërcënuar nga gjërat e vogla që i duheshin atij  për t'i provuar vetes pavarësinë ».

Artikull i marrë nga Corriere della Sera,  Përktheu për Shqiptarja.com Suada Mehmetaj

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?