Sociale

Prindërit dhe fëmijët, ‘dy botë të ndryshme’ në kohën e rrjeteve sociale! Ekspertët: Çelësi, komunikimi

8 Prill, 18:52| Përditesimi: 8 Prill, 18:54

  • Share

Teknologjia po ecën me ritme të shpejta, por me të po rritet edhe sfida e prindërve për të mbajtur nën kontroll “jetën” virtuale të fëmijëve të tyre.

Për disa prindër, telefoni është një mjet pune për detyrat e shkollës, për të tjerë një burim shqetësimesh të mëdha. Ka nga ata që u besojnë fëmijëve “me sy mbyllur”, ndërsa të tjerë i kontrollojnë rregullisht.

“Atë që e kam, e kam flori, kur është për t’u ulur ulet me mësimet. 13 vjeç e kam, ndonjë lojë ndonjë kështu. E di vetë ai, nuk shikon gjëra që nuk lejohet.

Unë dhe bashkëshortja kontrollojmë dhe marrim masa, nëse ka informacione që lidhen me shkollë tek ajo pjesë jemi okej. Pjesa tjetër është e menaxhueshme.

Ndonjë mësim, ndonjë gjë ca mund të gjejë”, shprehen prindërit.

Në këtë “luftë të heshtur” për të kuptuar botën e adoleshentëve, ekspertët thonë se çelësi është komunikimi.

“Problemi më i madh që shoh në këtë moshë është nëse krijohen dy botë të ndara, e prindit dhe fëmijës që shkojnë në drejtime të ndryshme. Prindi nuk arrin të kuptojë gjuhën e simbolikave, rrjetet që ai përdor, me kë ai bisedon ose është në kontakt. Mungesa e këtij komunikimi sjell probleme. Do doja që secili prind të ngrinte pyetjen që a kam krijuar në mjedisin familjar një ambient ku fëmija të vijë dhe të tregojë shqetësimet e tij”, thotë psikologia Elisa Bano.

Por për psikologët teknologjia shpesh i gjen prindërit të papërgatitur përballë fëmijëve duke mos arritur të kontrollojnë atë me të cilën ata përballen duke përfunduar deri edhe në bullizime.

“Prindërit janë në luftë me vete. Gjëja e parë që i bëjnë një fëmije është se i pajisni me një armë të pakontrolluar, për sa kohë që fëmijë është disa hapa para prindit kur ne i japim një telefon në dorë në ditët e sotme. Prindërit mund të kontrollojnë pjesën e orareve, sa kohë qëndrojnë fëmijët para një ekrani, por nuk kontrollojnë se çfarë ndodh në komunikimin e tyre brenda atij ekrani. Bullizmi nëse deri dje ka ndodhur fizikisht, tani përmes rrjeteve e kemi të pamundur për tu kuptuar nëse një fëmijë është duke u bullizuar apo jo”, thekson sociologia Arjana Muça.

Në këtë realitet të ri, një rol të pazëvendësueshëm e kanë edhe mësuesit.

“Barra më e madhe i ka ngelur mësuesit në shkollë. Mësuesi nuk është thjeshtë mësimdhënës, bën edhe psikologun duke e ndihmuar, bën edhe rolin e prindit.  Është pika më e dobët për shfaqen e bullizimit. Manifestimi i bullzimit nuk është më tradicional, i formave fizike, është dobësuar forma fizike, është rritur forma verbale dhe është mbirritur forma sociale e bullizmit. Prindërit nuk janë aty të mbikëqyrin aktivitete që ata bëjnë në rrjetet sociale, mënyrën si komunikojnë me shokët”, shprehet ish-mësuesja Luiza Nezha.

Për të ndihmuar në këtë betejë, ekspertët propozojnë krijimin e aplikacioneve anonime për këshillim dhe ankesa në shkolla. Aty fëmija mund të ankohet i sigurt, mund të këshillohet i sigurt, se mund të shprehet më i sigurt.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A do e ndihmojë PD-në në fushatë strategu i Trump, LaCivita?