Dosje

Prishja e marrëdhënieve Shqipëri-Kinë dhe raporti i CIA-s më 1978! Pse Enver Hoxha dënoi Abdyl Këllezin

20 Qershor, 18:29| Përditesimi: 20 Qershor, 18:32

  • Share

Në një raport të deklasifikuar të CIA-s në vitin 1978, tregohet me detaje se si bashkëpunimi midis Shqipërisë e Kinës po merrte fund. Aty thuhet se pas vdekjes së Mao Ce Dunit, Enver Hoxha nisi sulmet e hapura kundër Kinës, me akuzë se Kina bashkëpunonte me SHBA-në e vendet Perëndimore.

Nga ana tjetër po sipas CIA-s, një arsye e fortë ishte se Kina pasi zgjeroi partnerët, filloi të ndërpriste ndihmat financiare për Shqipërinë. Në dokument jepet dhe një analizë se çfarë prisnin amerikanët të ndodhte pas prishjeve së marrëdhënieve shqiptaro-kineze, ku shihej edhe si mundësi ideja e hapjes së Shqipërisë drejt Perëndimit. Por kjo atëherë nuk ndodhi dhe u realizua shumë vite më vonë, në kohën e fitores së demokracisë. Më konkretisht, për prishjen e marrëdhënieve me Kinën, CIA bënte këtë analizë: “Përkeqësimi i shpejtë i lidhjeve të Shqipërisë me Pekinin ngre për herë të parë mundësinë e ndarjes mes dy aleatëve të ngushtë. Provat aktuale nuk janë të mjaftueshme për një shpjegim të plotë të motivimit shqiptar për ndarjen, por ka sinjalizime se Tirana po punon për një strategji të re në rast të humbjes së mbështetjes politike dhe materiale të Kinës.

Duke marrë parasysh pozitën strategjike e gjeografike të Shqipërisë, kursi i saj i ardhshëm është me interes për të gjithë fqinjët e saj mesdhetarë. Bashkimi Sovjetik, i cili ka qenë aleat i Tiranës deri në vitin 1961, mund të përpiqet të përfitojë nga përçarja për të rivendosur influencën e tij politike në Shqipëri, por me shumë gjasa ka, që kjo do të refuzohet. Nëse sovjetikët ia dalin me sukses, “statukuo”-ja e Ballkanit mund të trazohet, pasi fqinjët e saj Jugosllavia, Greqia e Italia mund të ndjehen të kërcënuar për sigurinë e tyre.

IZOLIMI I VENDIT

Të nxitur nga ksenofobia dhe ideologjia radikale, Enver Hoxha e ka mbajtur vendin në izolim dhe gjatë 16 viteve të fundit ka qenë totalisht i varur nga Kina për ndihmë ekonomike e industriale. Përpjekjet e Tiranës për një riorientim të politikës së jashtme, janë shoqëruar gjithmonë me trazira të brendshme të lidershipit. Spastrimet masive të stabilimentit kulturor, ushtarak dhe ekonomik që prej vitit 1973 kanë lënë pak prova për konfliktet e brendshme. Garda e vjetër komuniste me në krye shefin e partisë Enver Hoxha, mban frerët e pushteti por funksionarët e rinj që kanë hyrë në strukturën e pushtetit pas spastrimeve, mund të pritet të japin shenjat e tyre në favor të hapjeve.

Me gjithë njohuritë tona të kufizuara për zhvillimet brenda Shqipërisë, dallohen disa tendenca të reja. Marrëdhëniet kino-shqiptare janë në nivelin më të ulët se ndonjëherë, por Tirana mund të përpiqet ta shmangë një prishjeje finale me Pekinin. Nëse ndarja ndodh vërtet, regjimi do të përpiqet të gjejë të tjerë aleatë, duke nisur një përmirësim gradual të lidhjeve me një numër vendesh, ndoshta përfshi dhe ato perëndimore të industrializuara. Por lidhjet e reja kanë kufizimet e tyre. Që prej prishjes me Moskën, shqiptarët janë të fiksuar te kërcënimi sovjetik ndaj sigurisë së tyre. Iniciatori i prishjes, Enver Hoxha dhe pjesa tjetër e udhëheqjes, do të mbeten skeptikë ndaj afrimit me BRSS. Për momentin nuk ka shenja për interes të Tiranës, në afrim me SHBA, por gjithsesi ndryshimet në politika mund të shfaqen gradualisht. Ndryshimet ideologjike së bashku me tensionet etnike e territoriale, parandalojnë normalizimin e lidhjeve mes Tiranës dhe Jugosllavisë, që në rast tjetër duhet të ishte partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë.

Gjithashtu, suksesi i Titos në përmirësimin e lidhjeve me Kinën, ka sjellë dyshime për një “tradhti” të këtyre të fundit ndaj Shqipërisë, duke e bërë opozicionin ndaj “revizionizmit” të Jugosllavisë edhe më të ashpër. Nuk pritet në asnjë mënyrë që Perëndimi të zëvendësojë Kinën si protektori ndaj kërcënimeve të sigurisë ndaj Shqipërisë, prej ashpërsisë së ideologjisë së Enver Hoxhës dhe regjimit të tij. Shqipëria përballet me detyrën e ngadaltë e të lodhshme të daljes nga politika e aleancës ekskluzive me Kinën, por alternativat e saj janë shumë të kufizuara. Formimi i një lidershipi më të ri, nëse kjo do të ndodhte, mund t’i hapë derën ndryshimeve në politika, por njohuritë tona janë tepër të fragmentuara për të parashikuar drejtimin e mundshëm të tyre”.52)

Çfarë tregojnë studimet

Studimet tregojnë se krisja e marrëdhënieve me Kinën, do të pësonin po atë krisje siç ndodhi me sovjetikët dhe në mënyrë të çuditshme po për të njëjtat “ide” pothuajse të mëparshme të Enver Hoxhës, i cili edhe këtë radhë krijon konfliktin absurd edhe me Kinën. Politika e jashtme e Enver Hoxhës në atë kohë ishte një gërshetim i maoizmit dhe i respektit për Stalinin, busti i të cilit vijonte i ngritur në qendër të qyteteve dhe të fshatrave të Shqipërisë. Kina zinte në Shqipëri një pjesë të madhe të mallrave të importuara, që nga letrat higjienike e deri te traktorët. Por periudha pas Mao Ce Duni-ste, megjithatë sloganet që ende vlerësonin miqësinë Shqipëri-Kinë, në fillim vitin 1978, po shiheshin gjithnjë e më rrallë. Thuhej në opinion se Enver Hoxha nuk ishte i kënaqur për pajtimin e Kinës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

KRISJA MES DY VENDEVE

Në fakt, zanafilla e krisjes së marrëdhënieve u duk qysh më 15 mars të vitit 1973, kur Enver Hoxha mbajti fjalimin e famshëm për “ndërtimin e socializmit në kushtet e rrethimit të plotë imperialist – revizionist”. Kishin kaluar më se 6 vjet nga fjalimi i mëparshëm i 6 shkurtit të vitit 1967, kur filloi revolucioni kulturor në Shqipëri, një farë imitimi i Revolucionit Kulturor kinez dhe me këtë të Enver Hoxhës, u përmbysën të gjitha konceptet e zhvillimit moral të vendit si dhe u vendos diktatura e plotë dhe e egër ideologjike, përfshirë fushën e besimit fetar.

Pas 7 vjetësh kishte ardhur radha e shfajësimeve për bilancin negativ të atij revolucioni kulturor dhe rrënjët e së keqes u gjendën te “liberalizmi” i shoqërisë shqiptare, te “konceptet decentralizuese e liberale në ekonomi, në ushtri, në art, e kulturë”. Pas kaq viteve dukej qartë se “miqësia e pathyeshme” shqiptaro-kineze tashmë ishte thyer, pavarësisht retorikave propagandistike në fjalime e bankete.

Kinezët kishin paralajmëruar qysh në vitin 1972 se marrëdhëniet ekonomike do të vareshin nga klima e marrëdhënieve politike, duke kërkuar nga Shqipëria që të mos luajë “rolin e mësuesit” ndaj udhëheqjes politike kineze. Por pala shqiptare, Enver Hoxha vazhdoi me pakënaqësitë e tij dhe me mendjemadhësi të jepte këshilla e konsideracione ndaj sjelljeve ndërkombëtare të Kinës. Kështu konflikti politik thelloi gjithnjë e më shumë konfliktin në sferën e marrëdhënieve ekonomike. Pas vitit 1974 ish-bashkëbiseduesit shqiptarë me palën kineze, që “siguruan” ndihma e kredi të mëdha, Enver Hoxha i dënoi. U dënua Abdyl Këllezi e të tjerë për “liberalizëm” e madje për “thurje” komplotesh kundër zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

MOMENTI FATAL

Ndihma e shtetit kinez për Shqipërinë për vite të tëra ka qenë e madhe dhe pasi ishin vjelë mirë e mirë mallrat kineze në formën e ndihmave e të kredive, investime këto që ishin bërë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, Enver Hoxha i prishi këto marrëdhënie, për arsyen e vizitës së Presidentit amerikan në Kinë. Por edhe para këtij momenti fatal për Shqipërinë, të cilin e krijoi me ndërgjegje të plotë vetë Enver Hoxha, gjë që ja “diktoi” ruajtja e pushtetit të tij personal, u vunë re pengesa e vështirësi të mëdha për sa i përket realizimit të investimeve në objektet industriale e prodhuese shqiptare, të cilat qenë planifikuar të ndërtoheshin me ndihmat e kreditë kineze.

Qeveria kineze rezultat i “kritikave” të Enver Hoxhës, krijoi pengesa në furnizimin materialo-teknike. Dhe autoritetet shqiptare u morën në mënyrë ritmike me këto çështje, pasi ata shihnin që ndihmës kineze po i vinte fundi dhe ekonomia e vendit po përjetonte pasojat e një krize të rëndë. Ajo vuante mungesën e prodhimit në vend, me gjithë parullat e sloganet e “prodhimit të gjithçkaje me forcat e veta”. Por, mbi të gjitha, problemi më i madh në Shqipëri ishte rendimenti i ulët i punës dhe rentabiliteti negativ i ekonomisë, gjë që e thellonte krizën. Teknologjitë e prapambetura krijuan vështirësi në përballimin e kostove të prodhimit. Shumica e ndërmarrjeve nuk i mbulonin shpenzimet e prodhimit, po të kemi parasysh se ligjërisht 40 për qind e të ardhurave do të duheshin vënë në fondin e akumulimit, çka do të thotë se 40 për qind e produktit shkonte si taksë për të mbajtur administratën shtetërore, për shpenzimet ushtarake, ndërtimin e qendrave të zjarrit dhe objekteve ushtarake të mbrojtjes, pensionet, shëndetësinë, arsimin dhe shërbimin social.

THELLIMI I KRIZËS

Kriza u thellua jo vetëm për shkak të ngadalësimit të implementimit të ndihmës ekonomike e financiare të Kinës, por edhe për një faktor kryesor siç ishte centralizimi në duart e shtetit i ekonomisë e financave dhe shkuarja me shpejtësi drejt një izolimi total të vendit, sidomos pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1976, si dhe investimet marramendëse në mbrojtjen e vendit. Akuzat e Enver Hoxhës ndaj politikave liberale të Kinës në Kongresin e 7-të të partisë, shkaktuan një reagim të egër e të drejtë të Pekinit, ndonëse në raportin e Kongresit u evitua të përmendej direkt emri i Kinës, por ai nënkuptohej.

Ishte një konflikt absurd, që e krijoi vetë Enver Hoxha kot së koti me Kinën. Pesëvjeçari i gjashtë ishte planifikuar, siç thuhej i “mbështetur në forcat e veta”. Sipas studiuesve, ai term apo “parim” mohonte gjithçka, mohonte aleatët, aleancat, pra qëndrimi i tij ishte vetëmbyllja e Shqipërisë me moton prodho dhe ha, gjë që vajti deri aty sa “prodhonim bar, e do hanim po bar”, vetëm të mbroheshin “parimet” e deklaruara nga Enver Hoxha. Në këto kushte konflikti shqiptaro-kinez u thellua dhe u ashpërsua me akuza të ndërsjella dhe ndihmat thuajse gradualisht u zeruan deri në ndërprerjen e tyre përfundimtare në 1978 -n. Shënimet e Enver Hoxhës lidhur me marrëdhëniet me kinezët theksojnë ai i shtynte “urët e zjarrit” e si të thuash me shënimet e tij, dekonspironte bisedat diplomatike në zyrat e qeverisë e të shtetit shqiptar me përfaqësuesit kinezë. Enver Hoxha shkruan se “ashtu si sovjetikët, edhe udhëheqja kineze ka filluar nga presionet kundër nesh. Në qoftë se në Kinë nuk ndodh një kthesë rrënjësore me drejtim marksist-leninist revolucionar, marrëdhëniet shqiptaro-kineze do të dobësohen për fajin e udhëheqësve kinezë”. 57)

Akuzat e Enverit

Pak ditë më vonë e pikërisht para se Mao Ce Duni të ndërronte jetë, Enver Hoxha shkruan se “kinezët po përdorin ndaj nesh metoda të poshtra tregtare, që asnjë vend kapitalist dhe revizionist nuk i praktikon”. Duket sheshit se Enver Hoxha mbante dy qëndrime: “Nga njëra anë dëshironte të mbante marrëdhënie të ngushta ekonomike me Kinën e nga ana tjetër, kundërshtonte e refuzonte politikat e brendshme e të jashtme të saj”. E pikërisht në këto situata marrëdhëniesh Enver Hoxha vetë shprehet se “njerëzit duhet të kuptojnë një gjë, që tani e tutje me kinezët nuk do të kemi të bëjmë më si me miq, por do të kemi të bëjmë me armiq dhe si të tillë duhet të bisedojmë dhe të diskutojmë me ta”.60).

Nga një analizë e këtyre qëndrimeve të Enver Hoxhës, dallojmë disa elemente, në të cilët mund të ndalemi: Së pari, se flitet në emër të “popullit shqiptar”, madje duket se “të gjithë shqiptarët ishin të gatshëm të bënin çdo sakrificë për të mbrojtur marksizëm-leninizmin, që do të thotë stalinizmin dhe komunizmin e Enver Hoxhës”. Synimi ishte që të prekej sedra e shqiptarëve dhe të mos kishte reagime në opinionin e brendshëm, sepse natyrshëm për vite ishte folur çdo ditë e çdo mbrëmje për “miqësinë e pathyeshme shqiptaro – kineze” dhe denoncimi i kësaj miqësie, do të ngjallte kureshtje, hutim, mosbesim dhe dyshime te qytetarët shqiptarë, gjë që në fakt ka ndodhur.

Së dyti, pala kineze është ankuar se “shqiptarët dëshmuan mosmirënjohje” ndaj ndihmave të shumta të Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës dhënë Qeverisë së Shqipërisë. Gjatë punimit të këtij studimi del se delegacione ta shumta të ardhura në Shqipëri nga Pekini, në vitet e fundit e kishin theksuar këtë moment, aspektin amoral të të qenit mosmirënjohës nga ana e udhëheqësve të Shqipërisë. Diskutimet janë e mund të jenë kontraverse, ndërsa pala shqiptare ishte ose jo mosmirënjohëse ndaj ndihmave dhe kredive kineze për ndërtimin e veprave të shumta ekonomike e energjetike në Shqipëri. Në thelb ka mbetur shija e hidhur e krijimit të një imazhi të tillë për sa i përket këtij aspekti moral, pra, se Tirana zyrtare është treguar mosmirënjohëse ndaj ndihmës kineze në ekonomi e në ushtri. Nisur nga ky arsyetim, del përgjegjësia e shumëfishtë e Enver Hoxhës, i cili e krijoi vetë konfliktin absurd me Kinën, që ja diktoi atij pushteti personal dhe ajo periudhë mbetet vetëm përgjegjësi e tij./Gazeta Panorama

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?