Pas heqjes së 12 kabinave në Theth, të cilat ishin pa leje, ka vijuar aksioni edhe për prishjen e ndërtimeve të tjera pa leje në këtë fshat.
Por, kjo nismë është kundërshtuar nga banorët e Thethit, të cilët janë përplasur me policinë për prishjen e ndërtimeve. Burime për Report Tv, bëjnë me dije se ata kanë paralajmëruar edhe protestë.
‘Ne jemi në tokën tonë këtu, kemi vite’, thotë banori.
'Duam që të flasim me dikë që drejton nuk kemi punë me ju, ju jeni punonjës policie ’, thotë një tjetër.
‘Ne nuk jemi njerëz kundër ligjit, po na duhet dikush që drejton, IKMT kush është që të flasim me ta, kaq kërkojmë', thotë një banor.
Ndërkohë, ditën e sotme janë shembur 5 objekte me strukturë druri në pronësi të familjes Koçeku, ndërsa sipas IMT në total janë dhënë 40 objekte që do të shemben në të gjithë fshatin.
Një ditë më parë, Kryeministri Rama e quajti masakër të mirëfilltë ndërtimin e këtyre kabinave pa leje. Report Tv ka mësuar se ndërtuesi, të cilit Rama i referohet si “kriminel”, është një emër shumë i njohur për drejtësine. Prek Kodra, i cili 4 vite më parë, në një dokument të Njësisë Kundër Terrorizmit të Kosovës, rezulton se kishte planifikuar të vriste me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe 2 politikanë të tjerë të njohur në Prishtinë.
Kodra është shpallur në kërkim për dy nga dosjet më të bujshme të SPAK, njëra si pjesëtar i organizatës kriminale të Suel Çelës në Elbasan që e përfshiu në atentatin ndaj Ardian Çapjas. Masa e dytë për të është në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, në akuzë për disa ngjarje kriminale.
Komente
