Prishtina nga sot, edhe me bustin e senatorit amerikan Bob Dole

30 Gusht 2020, 14:22| Përditesimi: 30 Gusht 2020, 14:23

  • Share

Sot në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë është zbuluar busti i senatorit amerikan Bob Dole, me rastin e 30-vjetorit të vizitës së delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të udhëhequr nga ai në vitin 1990.

Për vendosjen e bustit në rrugën me të njejtin emër  në lagjen Dardania, përmes një video-mesazhi, senatori Dole ka shprehur mirënjohje për inaugurimin e bustit të tij në Prishtinë.

"Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën para 30 vjetëve. Tridhjetë vite kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t'u bërë edhe më të fortë", tha Dole.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se është nder i veçantë zbulimi i bustit të një personi siç është senatori Bob Dole.

"Senatori Dole është i pari që ka vizituar Prishtinën dhe presidentin Ibrahim Rugova në kohët më të vështira", tha Hoti.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, sot ka zbuluar pllakën përkujtimore për nder të këtij përvjetori në sheshin "Nënë Tereza".

Ish-presidenti Bill Clinton, ish-sekretarja e shtetit, Madeline Albright dhe tani Bob Dole, janë personalitetet të cilave u janë bërë buste në kryeqytetin e Kosovës.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?