Tre perosna janë arrestuar në flagrancë, teksa prisnin dru në zonën e mbrojtur “Liqeni i Zi” në Bulqizë. Ndërsa dy vëllezër, oragnizatorë të kësaj paligjshmërie janë shpallur në kërkim.
Nga kontrollet e kryera në zonë, me qëllim goditjen e rasteve të prerjes së paligjshme të pyjeve, uniformat blu kanë konstatuar dhe kanë goditur një rast të krimeve kundër mjedisit, që kryhej në këtë zonë, në mënyrë të organizuar nga disa persona.
Për pasojë u arrestuan në flagrancë Banush Dedja 38 vjeç, Ramadan Basha 45 vjeç dhe Zabit Kola 43 vjeç.
Gjithashtu u shpallën në kërkim Bajram dhe Ajet Lici, vëllezër, të dy banues në Fushë Bulqizë, të cilët dyshohet se kishin punësuar 3 të arrestuarit, për të prerë në kundërshtim me ligjin, lëndë drusore në zonën e mbrojtur “Liqeni i Zi”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 mjete variskë dhe 1 mjet kamion që shërbenin përkatësisht për hapjen e rrugëkalimeve dhe për transportimin e lëndës drusore, një motosharrë dhe një sasi lënde drusore e prerë ilegalisht, që u gjet në pjesë të ndryshme të zonës së mbrojtur “Liqeni i Zi”.
Vijon puna intensive për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Monitorimi i territoreve të zonave të mbrojtura, vijon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.