Intervista me Nirvana Deliun

Politikë

Pritet hapja e grupkapitullit të Agjendës së Gjelbër, Deliu për Report TV: Puna për këto kapituj do të jetë e madhe! Pozitive, fakti që nuk janë bërë hapa pas

12 Qershor, 12:54
  • Share

Ekspertja për çështjet e integrimit, Nirvana Deliu, në një intervistë për "Sot Live në Shqipëri" me Nertil Agalliun, foli për grupkapitullin e radhës që pritet të hapë Shqipëria me BE, atë të agjendës së gjelbër. Një ditë më parë, BE i kërkoi Shqipërisë të paraqesë pozicionin negociues mbi katër kapitujt e përfshirë.

Sipas ekspertes, për këtë grupkapitull do të duhet më shumë kohë për shkak se vetëm për kapitullin e mjedisit janë rreth 200 akte nënligjore që do të duhen të përshtatet me atë të BE.

“Janë kapituj të rëndësishëm dhe deri diku sfidues pasi lidhen me transportin, energjinë, rrjetin evropian të transportit dhe mjedisin, që kërkon shumë fonde dhe kapacitete institucionale dhe shumë përgatitje. Është llogaritur që vetëm kapitulli i mjedisit ka rreth 200 akte ligjore të BE që duhet të harmonizohen dhe përafrohen me legjislacionin tonë. Puna për këtë kapitull do të jetë e madhe.", theksoi Deliu. 

Sipas saj, në një rast të tillë, hyn në lojë "faktori negociues", ku për kapituj të tillë si mjedisi që kërkojnë kohë, vendosen afate, që direktivat e tij të përmbushen edhe pas anëtarësimit të vendit në BE.

“Në varësi të eksperiencës së vendeve të tjera si Kroacia, apo Serbisë dhe Malit të Zi, që e kanë filluar procesin e negociatave më herët sesa ne, është parë që mjedisi do të jetë një nga ato kapitujt që kërkojnë kohë. Madje mund të themi se është fiks procesi negociues se duhet që shteti të përgatitet mirë për të negociuar afate dhe data se kur parashikon t'i realizojë reformat dhe standartet e BE. Janë parashikuar ato si periudha tranzitore, kur ti si shtet parashikon që këtë direktivën apo rregulloren që BE ka vendosur, nuk e realizon apo implementon dot deri në momentin që hyn në BE, por do të duhet një periudhë për shembull 5 apo 7 vjeçare pas anëtarësimit që të bëhet transfuzimi i plotë i kësaj direktive.

Mjedisi do të jetë një nga ato elemente ku ne si shtet duhet të parashikojmë shumë mirë dhe të dimë të kërkojmë në fakt këto periudha tranzitore pasi për t'u përgatitur për kapitullin e mjedisit brenda këtyre afateve që parashikojmë të hyjmë në BE është thuajse e pamundur. Kështu që e vetmja klauzolë është që të përdorim negocimin për këtë periudhë tranzitore. Gjithashtu kur flasim për mjedisin, imagjino sesa fusha futen aty, që te cilësia e ajrit, toka, mbrojtja e natyrës apo ndryshimet klimatike, që mund të themi se Shqipëria në shumë raporte nuk ka fare thuajse politika.", u shpreh ajo.

Duke u ndalur te kapitulli i energjisë, ajo tha se Shqipëria ka bërë progres të mirë, sidomos vitin e fundit. Ajo theksoi gjithashtu se nga 33 kapituj, në 17 prej tyre, është arritur një përgatitje mesatare. Ajo shtoi se lajm pozitiv është gjithashtu fakti se në bazë të metodologjisë së re të BE, kur shikohet edhe regresi që bën vendi kandidat për në union, Shqipëria nuk ka bërë hapa pas në reformat.

"Lajmi pozitiv është nuk ka pasur asnjë kapitull me regres. Me metodologjinë  e re, BE ka futur edhe elementin e regresit, që dmth se mund të kemi raste ku BE apo anëtarët nuk janë të bindur se po bëjnë progres por hapa pas dhe kjo do ta ndërlikonte më shumë këtë gjë", u shpreh ekspertja.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?