Mbrëmjen e sotme, në orën 21:00 në "Aviva Stadium" të Dublinit luhet finalja e Europa League mes Atalantës dhe Bayer Leverkusen. Dueli italo-gjerman pritet me interes, për të mësuar edhe fituesin e trofeut të dytë për nga rëndësia në Evropë.
Përpara ndeshjes për mediet foli edhe Berat Gjimshiti, kapiteni i Kombëtares kuqezi që pritet të jetë sërish me shiritin në krah për Atalantën. Ai tha se gjithçka varet nga ata, duke lënë të kuptohet se kërkojnë të thyejnë rekordin me 51 ndeshje pa humbje të Leverkusenit këtë sezon.
"Këto janë emocione shumë të bukura, ne jemi të lumtur që kemi arritur deri këtu, pasi e kemi merituar. Nuk ndodh çdo ditë të luash të tilla finale dhe kjo ka qenë një ëndërr që kur kam qenë fëmijë. Nesër fusha do të ketë rëndësi. Të gjithë jemi gati për këtë betejë dhe duam të fitojmë dhe të shkruajmë historinë”, u shpreh fillimisht mbrojtësi.
Gjimshiti konfirmoi mungesën e mesfushorit De Roon, duke shtuar se në finalen e Europa League do të jetë ai që do ta mbajë shiritin e kapitenit për ekipin e Atalantës.
"Padiskutim që është një mungesë e rëndësishme ajo e De Roon. Por, gjithçka do të varet nga ne, për mënyrën se si do të luajmë. Unë kapiten? Ka mundësi, por kjo nuk ka shumë rëndësi për ne, këtu jemi të gjithë, ne luajmë së bashku dhe fitojmë së bashku”, tha Gjimshiti.
Berat Gjimshiti u shpreh se Leverkusenin e vlerësojnë dhe e respektojnë në maksimum.
“Nuk ka nevojë për shumë fjalë, ata nuk kanë humbur asnjë ndeshje dhe me meritë e fituan Bundesligën. Ata janë një ekip i madh, me një skuadër shumë kompakte dhe shumë të fortë. Ne jemi përballur me Leverkusen dy vite më parë dhe besoj se edhe ata kanë pikat e tyre të dobëta. Natyrisht, e thashë edhe pak më sipër se gjithçka nis dhe varet nga ne, nuk duhet të gabojmë, duhet të jemi të përqendruar maksimalisht dhe të shfrytëzojmë gjithçka sepse jemi në finale”, tha mbrojtësi i Atalantës dhe kapiteni i Kombëtares.
Te dyja klubet janë takuar në fazën me eliminim të Europa League dy herë në 2021, me Atakantën që ka dy fitore.