Politikë

PS fiton me 8082 vota Vorën, Spiropali: E morëm me një diferencë të thellë! Konflikti i djeshëm i stisur për shkak të humbjes

12 Maj, 09:17| Përditesimi: 12 Maj, 11:52

  • Share

PS ka fituar me një diferencë të thellë në bashkinë e Vorës, duke marrë 8082 vota ose 57.09% të totalit, sipas të dhënave përfundimtare pas numërimit të 44 qendrave të votimit. Koalicioni PD-ASHM ka marrë 4 803 vota, ose 33.93%. Më i votuari është kandidati i PS, Blendi Gonxhja me 4794 vota.

Sa i përket subjekteve të vogla, e treta renditet PSD me 330 vota (2.3%), partia Mundësia e Agron Shehajt me 313 vota (2.2%) Nisma Shqipëria bëhet me 260 vota (1.84%), Lëvizja Bashkë 1.0%, ndërsa partitë e tjera nuk e kanë kaluar prangun 1%. Ndërsa në njësinë numër 10 në Tiranë, PS ka fituar me 5304 vota ndërsa PD 3498 vota.

Elisa Spiropali, drejtuesja politike e qarkut të Tiranës, tha nga Vora para se të dilte rezultati se PS ka fituar me një diferencë të thellë, gjë që tregon besimin e qytetarëve ndaj Edi Ramës dhe partisë. 

“Edhe pse rezultati duhet të kishte dalë që mbrëmë, ne investuam në numërimin elektronik për Vorën dhe njësinë 10 për të dhënë rezultatin dhe vazhduar traditën e pasqyrimit të rezultateve në kohë reale, ku bashkia e Vorës do të kishte qenë e para që do të shpallte fitoren e thellë për PS, siç edhe rezulton. PS ka fituar në Vorë siç pritej me diferencë të thellë për shkak të punëve të mira që kemi bërë këtu. Punës së madhe në terren e PS që është shumë pranë qytetarëve çdo ditë të vitit, jo vetëm në muajin e zgjedhjeve. Ky rezultat reflekton besimin e madh që Vora, qarku i Tiranës dhe gjithë Shqipëria i ka dhënë Ramës dhe PS. Sapo morën rezultatin tonë, dhe i takon KQZ të shpallë rezultatin të asaj që ishte numërim elektronik. Kemi diferencë të thellë”, u shpreh Spiropali. 

Spiropali pati një koment edhe për përplasjen e djeshme të Flamur Nokës dhe Albana Vokshit dje gjatë procesit të votimit në një nga qendrat e votimit dhe akuzave se persona të ndryshëm po sillen si vëzhgues. Spiropali e cilësoi si tymnajën e radhës për shkak se e dinin humbjen e tyre. 

“Mungesa e tyre sot tregon se edhe konflikti i stisur i djeshëm nuk kishte as vërtetësi dhe as bazë por për të prodhuar zhurmën e  radhës për shkak të dijenisë së ç’rezultat të dobët do merrnin në Vorë. Ata nuk i kanë kthyer asnjëherë sytë nga Vora, kanë ardhur dje për të bërë sherrnajë, por e morën përgjigjen. Do ta merrnin dje nga numërimi elektronik, por e morën sot.”

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria votoi për Kuvendin e ri, si ju duk procesi i votimit?