ATHINË - Është vetëm 18 vjeç, por Elton Fikaj ka për ta mbajtur mend gjatë datën 7 janar 2024. Mbrojtësi i Kombëtares U-19 të Shqipërisë ka bërë debutimin në futbollin e madh. Ai ka luajtur në fund për gjigantët e Panathinaikos, me këta të fundit që fituan 2-1 kundër Panetolikos për javën e 17-të në Superligë.
Trajneri i sapoemëruar te 'Tërfilat', Fatih Terim i besoi djaloshit nga Shkodra disa minuta në fundin e sfidës. Në të 90+1 Fikaj i zuri vendin Juankar, teksa pritet që në duelet e tjera të jetë me më shumë minuta.
'Perandori' Terim e ka treguar se beson te të rinjtë dhe pas firmës në Greqi afroi shqiptarin në ekipin e parë. Fikaj ka kontratë me Panathinaikosin deri në verën e 2026 dhe është produkt i këtij klubi.
Ai luan në mbrojtje dhe kryesisht në krahun e majtë, teksa shihet në të ardhmen si një rival i Mario Mitaj në Kombëtare. Me U-19 e Shqipërisë ai ka zhvilluar 11 takime.