111 vjet shtet, Begaj thirrje deputetëve: Punoni kokëulur, jo përplasje në Kuvend! Reforma zgjedhore të sigurojë votën e diasporës

28 Nëntor 2023, 20:27| Përditesimi: 28 Nëntor 2023, 22:57

  • Share

Në Pallatin e Brigadave, u mbajt pritja zyrtare e 111 vjetorit të pavarësisë. Presidenti Bajram Begaj mbajti fjalën e tij ku theksoi rëndësinë e faktorit shqiptar për ruajtjen e qëndrueshmërisë në Ballkan.

Ndërsa një thirrje e pati edhe për politikanët shqiptarë të cilëve u kërkoi të siguronin të drejtën e diasporës shqiptare për të votuar në zgjedhje. Duke iu referuar skenave të dhunshme të deputetëve të Rithemelimit në Kuvend gjatë javëve të fundit, Begaj bëri thirrje që të të punohet kokëulur për të mirën e shqiptarëve dhe jo për konfrontim në Kuvend.

“Me reformën zgjedhore duhet të sigurohet edhe vota e emigrantëve. Shqipëria nuk ndërtohet me indiferentizëm dhe pasivitet. Bëj thirrje për përfaqësuesit e shqiptarëve në Kuvend që kokëulur të punojnë për një Shqipëri që sundohet nga ligji. Në jetën tuaj paralmentare të udhëhiqeni nga interesi kombëtar, nga respekti dhe jo mllefi dhe mbi të gjitha nga përgjegjësia mbi të ardhmen”- u shpreh presidenti.

Më tej, kreu i shtetit vlerësoi rezultatet e Reformës në Drejtësi duke u shprehur se po krijon shpresë tek publiku dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Vlerësoj rezultatet e Reformës në Drejtësi, po krijon shpresë tek publiku dhe tek partnerët ndërkombëtarë”- tha Begaj ndër të tjera.

Ora 22:50
FOTOLAJM/ Kurti në Vlorë, Vjosa Osmani në Tiranë, merr pjesë në pritjen e presidentit për 111-vjetorin e Pavarësisë

 

Me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë, Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një pritje zyrtare në institucionin e Presidencës.

Në këtë ceremoni u bënë bashkë autoritete të larta të shtetit, përfaqësues të Trupit Diplomatik, përfaqësues të forcave politike, komuniteteve fetare, kulturës, artit dhe medias për të kremtuar së bashku festat kombëtare në këtë vit jubilar të mëvetësimit të Shqipërisë. 

E pranishme ishte edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila shihet krah bashkëshortes së kryeministrit Rama.

Festat e nëntorit sollën në Tiranë edhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti i cili mori  pjesë në ceremoninë shtetërore të ngritjes së flamurit kombëtar dhe bëri homazhe në “Sheshin e Flamurit” në Vlorë ku dhe shtrëngoi duart me kryeministrin Rama.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?