Adriatik Llalla, ish-kryeprokurori nën hetim

Privilegjet shtetërore/ Adriatik Llalla nën ruajtje nga garda deri në 2020

23 Gusht 2018, 07:23| Përditesimi: 23 Gusht 2018, 12:30

  • Share

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk do t’i humbasë disa privilegje shtetërore pavarësisht largimit nga drejtësia, ‘arratisjes’ për t’i shpëtuar një arrestimi të mundshëm, hetimit për pastrim parash dhe konfiskimit të pasurisë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Garda e Republikës, përmes një vendimi të posaçëm qeverie, është ngarkuar për të marrë nën ruajtje ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla deri në dhjetor të vitit 2019, dy vjet pas mbarimit të mandatit. Në shtator të vitit 2007, Këshilli i Ministrave vendosi të përfshijë Prokurorin e Përgjithshëm në listën e personaliteteve të larta shtetërore që duhet të ruhen dhe mbrohen pas lirimit nga detyra, ndonëse në rastin konkret, Garda e Republikës e ka të vështirë të zbatojë vendimin, pasi ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla nuk dihet vendndodhja, për shkak të një llogarie të hapur me drejtësinë. Vendim nr. 592, datë 5.9.2007 mban firmën e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili përpos kryeprokurorit, parashikon edhe ruajtjen e ministrit të Brendshëm pas lirimit nga detyra. “

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2 të nenit 5 të ligjit nr. 8869, datë 22.5.2003 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Garda e Republikës së Shqipërisë do të ruajë dhe mbrojë pas lirimit nga funksioni, edhe këto personalitete të larta shtetërore: Prokurorin e Përgjithshëm; Ministrin e Brendshëm”, thuhet në vendimin e vitit 2007. Ndërkaq, në maj të vitit 2017, Këshilli i Ministrave ka vendosur që afati i ruajtjes së kryeprokurorit dhe ministrit të Brendshëm pas mbarimit të mandatit është dy vjet. Vendimi mban firmën e ish-zëvendëskryeministrit, Niko Peleshi. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr. 8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Pika 2 e vendimit nr. 592, datë 5.9.2007, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë:

“2. Personalitetet e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, ruhen dhe mbrohen me oficer e nënoficer shoqërues edhe 2 (dy) vjet pas lirimit nga funksioni.””, thuhet në vendim.

Personalitet e tjera

Ligji për Gardën e Republikës parashikon që presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri ruhen dhe mbrohen edhe 3 vjet pas lirimit të tyre nga funksioni. Ndërkaq, gjatë ushtrimit të detyrë Garda e Republikës ruan dhe mbron presidentin, kryetarin e Kuvendit, kryeministrin, si dhe familjet e tyre. Garda ruan dhe mbron personalitetet e huaja, të të njëjtit nivel me personalitetet shqiptare, që vijnë në vendin tonë, si dhe personalitete të tjera të huaja, për të cilët ministri i Brendshëm e vlerëson të nevojshme ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre. Gjithashtu, garda mbron personalitetet shtetërore vendase, të cilat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Garda ruan edhe rezidencat presidenciale, selinë dhe zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, selinë e Këshillit të Ministrave dhe mjediset ku vendosen personalitetet e huaja. Gjithashtu ruan edhe banesat e personaliteteve të larta shtetërore dhe seli të tjera shtetërore.

Personalitetet që ruhen dhe mbrohen nga Garda gjatë detyrës

Presidentin e Republikës

Kryetarin e Kuvendit

Kryeministrin dhe familjet e tyre

Personalitetet e huaja, që vijnë në vendin tonë

Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese

Zëvendëskryetarët e Kuvendit,

Anëtarët e Këshillit të Ministrave

Kryetarin e Gjykatës së Lartë

Prokurorin e Përgjithshëm

Kryetarin e SHISH-it

Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit

Guvernatorin e Bankës së Shtetit

Avokatin e Popullit

Kryetarin e KQZ-së

Kryetarin e partisë më të madhe të maxhorancës parlamentare

Kryetarin e partisë më të madhe të opozitës parlamentare

Kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Personalitetet që ruhen nga Garda edhe pas mbarimit të mandatit

Presidenti

Kryetari i Kuvendit

Kryeministri

Kryeprokurori

Ministri i Brendshëm

Vendimi i qeverisë Berisha për mbrojtjen e personaliteteve dhe pas mandatit

Plani për rritjen e masave të sigurisë për zyrtarët në 2018

Gjatë vitit 2018 është planifikuar edhe miratimi i një projektligji dhe 8 projektvendimeve, që synojnë rritjen e masave të sigurisë për personalitetet e larta shtetërore, por edhe zgjerimin e listës me funksionarët e lartë që do të merren nën ruajtje. Njëri nga projektvendimet parashikon ngritjen e një instituti të posaçëm, i cili do të merret vetëm me formimin dhe kualifikimin e shërbimit të sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore. Ky projektvendim synon përgatitjen profesionale dhe fizike të punonjësve të këtij shërbimi, që do t’u besohet jeta e shtetarëve tanë.

Po ashtu, është planifikuar miratimi i një tjetër projektvendimi për përcaktimin e personaliteteve të tjera që do të mbrohen nga shërbimi i sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore.

Në listën e personaliteteve që do të ruhen, do të përfshihen edhe krerët e organeve të reja të drejtësisë si kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit, kreu i Prokurorisë së Posaçme etj. Në këtë kuadër, do të shtohen edhe objektet dhe rezidencat që do të sigurohen nga shërbimi i sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore. Një tjetër projektvendim do të përcaktojë armatimin dhe mjetet teknike të posaçme për punonjësit që do të kujdesen për sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore.

Armët dhe mjetet do të jenë si ata të shërbimeve të vendeve homologe, që do të thotë ndryshim i armëve dhe mjeteve aktuale. Një tjetër projektvendim do të përcaktojë automjetet e posaçme për transportin e personaliteteve të larta shtetërore. Ky projektvendim synon standardizimin e automjeteve të posaçme për transportin e zyrtarëve të lartë. Referuar vendimit të qeverisë, një tjetër projektvendim do të miratohet për përcaktimin e simboleve, emblemave të personelit të shërbimit të sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore. Sipas dokumentit, të gjitha këto vendime do të miratohet brenda vitit 2018.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Qytetari: 23/08/2018 07:56

    Hajduterija politike shqiptare duhet rujtur per jet te jeteve.Bile Kryeministri i Reforma Edi Rama duhet te ndermari nje nisem ligjore per rujtjen e tyre ne varr.Kjo eshte shqiperija qe duam dhe Edi ramen qe e vuan ne krye te pushtetit.Tu krijosh pervileqe politike popitakneve vjedhes vetem ne shqiperi ndodh,pasi ne vendet tjera te botes e kan vendin ne burg.Qytetaret e ndershem shqiptar duhet ta rrefuzojn me forcen e votes lire kete qeveri apo ardhen ne pushtet i qeverive tilla.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?