Pr/ligji, në zonat e mbrojtura do hapen biznese nga banorët që jetojnë brenda tyre! KKT do të lejojë investime në parqet kombëtare (Drafti)

13 Dhjetor 2023, 16:48| Përditesimi: 13 Dhjetor 2023, 17:09

  • Share

Banorët-komunitetet që jetojnë brenda hapësirave të zonave të mbrojtura në Shqipëri, do të kenë mundësi të hapin biznese, apo të ushtrojnë veprimtari ekonomike të ndryshme, në këto hapësira, pasi të marrin një leje në bashki.

Ky është një nga ndryshimet që propozojnë një grup deputetësh të PS-së në ligjin ‘Për Zonat e Mbrojtura’, që sipas qeverisë ndikon edhe në frenimin e shpopullimin e qyteteve.

“Në zonat e mbrojtura ka banorë, ka komunitete që bashkëjetojnë në këto territore dhe privohen nga mungesa e shumë shërbimeve, e shumë të drejtave ligjore që ato gëzojnë. Zonat e mbrojtura përveç vlerave konservuese duhet të prodhojnë edhe ekonomi, edhe të ardhura për komunitetin dhe bashkitë”, u shpreh në komisionin e Veprimtarive Prodhuese një nga nismëtarët Fadil Nasufi.

“Shpopullimi që po na vjen nga këto zona, dhe në rast se duam ta mbajmë popullsinë në këto zona duhet t’ju japim mundësinë brenda rregullave që njeh zona e mbrojtur që të mund ta shfrytëzojnë dhe zhvillojnë minimalisht atë zonë”, tha Arben Pëllumbi.

Edhe nëpër parqe kombëtare, ndryshe nga ligji aktual propozohet që të lejohen investime me rëndësi kombëtare kur respektohen kriteret për mbrojtjen e tyre, nëse projekti miratohet nga Këshilli Kombëtar i Territorit, pas propozimeve nga ministria e turizmit apo bashkitë.

Për këto ndryshime të parashikuara deputeti i PS-së, Ismet Beqiraj kërkon kontrolle të rrepta, për mos të pasur betonim të zonave.

“A do të legalizohen të gjitha ndërtesat që janë brenda këtyre zona, aty dhe në parqe arkeologjike për hir të zhvillimit ekonomik, të cilat rrezikojnë betonimin e tyre të këtyre zonave. Pa instrumente kontrolli na jep pasoja jo të këndshme. Gjithçka ta kalojnë, ta shikojnë jo me lupë zmadhuese, por me mikroskop elektronik çdo kriter dhe parametër”, tha deputeti Beqiraj. 

Sipas relacionit nëpërmjet këtyre ndryshimeve zgjidhen edhe disa problematika që kanë të bëjnë me mbivendosje që kanë shkaktuar aktet e mëparshme për “Zonat me Përparësi Zhvillimi” me “Zonat e Mbrojtura”.

Po ashtu i shtohen edhe kompetencat pushtetit vendor, ku çdo bashki propozohet që të administrojë jo më pak se 20% e sipërfaqeve te zonave të mbrojtura që ka në territorin e vet. Kërkesë kjo e bërë edhe nga bashkitë, me argumentin se ju rrit të ardhurat vjelja e tarifave të ndryshme nëpër këto zona.

(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)

(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)

B.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 14/12/2023 04:50

    Ja dhe maskaralleku i radhes! Prandaj quhen zona te mbrojtura e parqe kombetare qe te qendrojne te virgjera,jo qe te fillohen bizneset e ndertimet! Nje pyetje per keta /ideatoret/ e ketij projekt-ligji,qe zedhenesa te /dikujt/jane,por jo ideatore:Juve ju ngriten pallate pa leje e kate pa leje tek kullat mu ne qender te Tiranes e i zbuluat vetem kur u bene mullare e s'ka vit qe nuk mbetet pa u ndertuar e pa u shembur ndertime pa leje ne plazhe,tani me thoni si do t'a kapni ate malesorin ne Theth qe ne vend te kulles karakteristike te zones te ndertoje hotel disa katesh ne bjeshke,apo ate fshatarin buze Vjoses qe bujtinen e vogel karakteristike te zones,t'a zevendesoje me nje hotel 5-katesh me beton e mermer?! Si do t'i monitoroni? S'ka muaj qe nuk degjojme per kryetare bashkish qe bene /ndere/ sa majtas e djathtas e sot jane ne ndjekje penale per tjetersime ,korrupsion e lejime ndertimesh,s'ka muaj qe nuk degjojme per punonjes kadastrash dhe punonjes te kontrollit te territorit qe shkojne ne pranga per gjera te ngjashme ne zona te zakonshme,kurse keta kerkojne te prekin zonat e mbrojtura! Lakmia e ketyre njerezve nuk njeh kufi e ligj e zone dhe tani kerkojne paturpesisht dhe t'a legjitimojne.Nese njerezit largohen,atehere ju jo vetem nuk i keni bere detyrat dhe nuk keni punuar per mandatin tuaj,por tani keni zgjedhur dhe menyren e gabuar per t'i mbajtur aty!Nuk e kuptojne qe po u hap /kutia e Pandores/ me kete projektligj,kaq eshte,te gjithe shkeljet do te fillojne me pas dhe hapur?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?