Sociale

Pr.ligji për dhunën ndaj grave/ Në fokus sulmet në politikë dhe nga interneti! Gjobë 50 paga nëse punëdhënësi nuk reagon ndaj dhunës

8 Tetor, 17:48| Përditesimi: 8 Tetor, 20:12

  • Share

Projektligji i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale zgjeron mbrojtjen ligjore ndaj grave duke përfshirë për herë të parë dhunën e lehtësuar nga teknologjia dhe dhunën ndaj grave në politikë. Ky draft, që synon të shfuqizojë ligjin e vitit 2006 “Për dhunën në marrëdhëniet familjare”, trajton dhunën ndaj grave si një formë diskriminimi të gjerë, që prek jetën private, profesionale dhe publike.

***

Dhuna ndaj grave po merr forma të reja dhe gjithnjë e më të ndërlikuara, nga sulmet fizike e psikologjike, deri te përdorimi i teknologjisë si mjet kontrolli dhe diskriminimi.

Pikërisht për t’iu përgjigjur këtyre realiteteve të reja, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka propozuar një projektligj të ri, që për herë të parë njeh dhunën përmes teknologjisë dhe si dhe dhunimin e grave në politikë, si kategori të veçanta ligjore.

Përdorimi i gjuhës së urrejtjes në internet, dërgimi apo publikimi i imazheve intime pa pëlqim, përndjekja digjital por edhe ngacmimi në rrjetet sociale, janë risitë që vijnë për shkak të zhvillimeve teknologjike.

Në raste shkeljes edhe masat mbrojtëse janë të veçanta dhe urgjente, si: urdhërimi për heqjen e përmbajtjeve abuzuese, bllokimi ose fshirja e llogarive online brenda 24 orësh nga njoftimi. Nëse platformat apo operatorët nuk zbatojnë këto urdhra, AKEP mund të vendosë gjobë deri në 500 mijë lekë të reja për çdo 24 orë vonesë.

Për herë të parë, projektligji njeh provat digjitale si të vlefshme në procesin gjyqësor. Në nenin 33 të projektligjit përcaktohen si të vlefshme edhe prova elektronike ose digjitale në rastet e dhunës digjitale. Ligji garanton standarde për integritetin, autenticitetin dhe besueshmërinë e tyre, edhe kur këto të dhëna janë ruajtur jashtë vendit.

Një tjetër element i ri është Neni 11, që trajton dhunën ndaj grave në politikë. Kjo formë dhune përkufizohet si çdo veprim diskriminues që cenon gratë gjatë veprimtarisë politike apo ushtrimit të funksioneve publike.

Në këtë rast drafti parashikon masa mbrojtëse si ndalimin e kontaktit fizik apo digjital me autorin e dhunës, bllokimin e materialeve ofenduese ose seksiste në rrjet, si dhe mundësinë e mbrojtjes policore të përkohshme për viktimën.

Ndryshe nga ligji aktual, që njihte vetëm Urdhrin e Mbrojtjes dhe Urdhrin e Menjëhershëm të Mbrojtjes, drafti i ri shton një kategori të re: Urdhrin për Masat Paraprake të Mbrojtjes së Menjëhershme, që mund të lëshohet drejt nga Policia e Shtetit.

Kjo masë lejon largimin e menjëhershëm të dhunuesit nga banesa, ndalimin e kontaktit digjital dhe madje bllokimin e përdorimit të armëve nëse disponojnë me leje, derisa të ndërhyjë gjykata.

Në rastet e përsëritura, ligji parashikon edhe instalimin e pajisjeve GPS për monitorimin e dhunuesve që shkelin urdhrat e mbrojtjes.

Projektligji vendos fokusin edhe të Dhuna dhe Ngacmimi Seksual në Punë, duke përfshirë si mjedisin fizik, ashtu edhe atë virtual.

Për herë të parë parashikohen sanksione të drejtpërdrejta ndaj punëdhënësve që nuk reagojnë ndaj ankesave brenda afateve të caktuara, me gjobë deri në 200 mijë lekë ose deri në 50-fishin e pagës që merr viktima për shkeljet e përsëritura.

Për të garantuan mbrojtje më të plotë projektligji gjithashtu sanksion se tashmë mjekët mund të raportojnë pa respektuar konfidencialitetin kur janë përpara një rasti dhune që ka një rrezik të menjëhershëm për dëmtimin e viktimës. Pra punonjësit shëndetësore mund ta raportojnë rastin edhe pa pëlqimin e viktimës.

Me draftin e ri, nëse do të kalojë në Kuvend, asnjë prej autoriteteve, edhe ato të dhënies së urdhrit të mbrojtjes, nuk ka më të drejtë të tentojë ndërmjetësimin dhe pajtimin si alternative e zgjidhjes së konflikteve midis viktimës dhe autorit të dhunës.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

V.GJ /I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mbrojtja për kreun e SPAK zgjatet deri në 3 vite pas mbylljes së mandatit, si ju duket?