Ish kryedemokrati, Basha

Pro dhe kundër (ri)kthimit të Lulzim Bashës

29 Maj 2023, 12:33| Përditesimi: 29 Maj 2023, 12:34

  • Share

Fillimisht paraprinë thashathemet se ai, Lulëzim Basha do të kthehet. Ndërsa tani shikojmë një aktivitet të shtuar të tij, konkretizuar me takime të ndryshme, me deklarata, me arsyetime të tij për hapin pas që bëri, me pengje për përjashtim më të hershëm të Berishës që në shpalljen e tij non grata etj. Lulëzim Basha e ka të drejtën e rikthimit. E ka të drejtën e provës. Por jo në kontekstin e demokracisë, këtij sistemi, që pavarësisht efektivitetit që ke dëshmuar, sërish t'a jep të drejtën teorike për të vazhduar.

Lulëzim Basha ka të drejtën të pretendojë të jetë kryetar i PD-së pikërisht për arsyen kryesore se ai nuk ka qenë asnjëherë kryetar i PD-së. Mund të ketë qenë kryetar "de Jure", por kurrë kryetar "de facto". Që nga 2013, kur ai u emërua kryetar i saj, ai ka funksionuar si një administrator i deleguar  i një kompanie, por kompetenca shumë të kufizuara. Nuk pati asnjëherë mundësinë që funksiononte si vetëvetja, por gjithmonë i duhej të aktronte ashtu si e udhëzonin të tjerët. I duhej të "komplikonte" dhe "sofistikonte" situatën në PD, duke e bërë atë gjoja të padeshifrueshme për publikun.

Nëse dikush është kundër këtij konkluzioni, e ka fare të thjeshtë ti referohet fakteve  se si në momente kyçe, në negociata të rëndësishme, në takime ne të huaj, Basha shkonte për "konsulta" në kullën Coin dhe kthehej prej andej më i "egërsuar", më kundërshtues se më parë. Ose mund të sjellin në vëmendje fjalorin e tij të egër e kërcënues gjatë protestave të dukshme që organizonte opozita në atë kohë.

Ose marrjen e hapave radikalë si djegja e mandateve apo braktisja e zgjedhjeve parardhëse vendore. Kush mendon apo konkludon se këto kanë qenë vendime të Lulëzim Bashës, thjesht i jep atij më shumë merita se sa i takojnë. Pikërisht pra, pse Basha nuk është provuar asnjëherë si një kryetar fuqiplotë i opozitës, kjo i jep të drejtën atij të pretendojë (ri)kthimin.

Por ndërkohë, egziston një arsye tjetër po kaq e fortë kundër këtij (ri)kthimi. Ajo lidhet me potencialin e pakët që mbart ai si drejtues i opozitës. Jo se ka qenë në kushte ideale për t'a shpërfaqur këtë potencial dhe ne i dijmë përmasat e tij. Porse kemi një tregues të tërthortë, por të pagabueshëm për t'a matur atë. Lulëzim Basha ka qenë i përzgjedhur i Sali Berishës.

Dhe nuk ka skaner më të mirë, skaner më të pagabueshëm se sa përzgjedhja prej Sali Berishës në një moment të caktuar, për një detyrë të caktuar. Sepse nuk je zgjedhur mbi bazë kriteresh klasike, si aftësia, oratoria, karizma, integriteti, personaliteti etj, por je përzgjedhur fiks për të kundërtat e tyre.

Edhe gjatë ushtrimit të detyrës si administrator dhe maskues i pronësisë reale mbi Partinë Demokratike, Lulëzim Basha i ka shfaqur më së miri këto cilësi. Mirëpo ato nuk janë të pëlqyera nga publiku, sidomos ai publiku gri, për të cilën ka aq nevojë opozita, ndaj, Lulëzim Basha nuk mund t'i sigurojë asnjë përmirësim perspektive Partisë Demokratike.

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Albfire: 29/05/2023 22:53

    kthim vs. rikthim. Nuk me duket ndonje diference e madhe per ta shkruar me dy kuptime "(ri)kthim"

    Përgjigju
  • Arbeni: 29/05/2023 15:19

    Rikthimi i Lulzim Bashes ne PD eshte fatkeqesi.Partia mbetet e ndare,biles ,thellohet me teper.Berisha dhe Basha eshte si tengjerja me kapakun.Te keshe shprese te keta dy person eshte budallallek.Mbeshtetuni tek figurat e pastra te P.D.Nje pjese e figurave te larguarA nga BerishA apo figura te rinjesh te Partise,por edhe te partive te tjera te djathta.Cdo gabim do ju kushtoje me shume se deri tani.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?