Qytetarët dhe bizneset po i paguajnë në kohë këstet e kredisë, madje edhe kredimarrësit problematikë, kanë nisur t’i paguajnë borxhet e tyre pranë bankave. Shifrat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kreditë me probleme në fund të muajit gusht zbritën në 4.61% që është niveli më i ulët historik. Në raport me gushtin e 2023-shit kreditë me probleme janë ulur me 0.69%.
E përkthyer në vlerë, në bilancet e bankave janë 37.4 miliardë lekë kredi me probleme, nga 38.4 miliardë lekë që ishte vlera në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke u ulur me afro 1 miliardë lekë.
“Brenda këtij stoku, kreditë me probleme të klasifikuara “të humbura” u tkurrën me 1.8 miliardë lekë, kryesisht si rezultat i shlyerjeve të detyrimeve nga klientët dhe i fshirjeve të tyre nga portofoli i bankave”, thotë Banka e Shqipërisë.
Banka qendrore thotë se pozitiv gjatë këtij viti është fakti që nuk janë regjistruar shumë kredi të reja me probleme në raport me vitin e kaluar.
“Në qershor 2024, fluksi vjetor i kredive të reja me probleme ishte sa 1.8% e kredive të rregullta, nga 1.9% dhe 2.2% një gjashtëmujor dhe një vit më parë”, thotë Banka e Shqipërisë.
Më problematikët në shlyerjen e detyrimeve janë bizneset të cilët mbajnë edhe peshën më të lartë të kredive me probleme, e kryesisht tek huaja e marrë në monedhën kombëtare.
“Portofolet e kredisë me vlerën më të lartë të raportit të kredive me probleme janë kredia afatmesme, ajo për biznese, si dhe kredia në Lek. Në fund të qershorit 2024, raportet e kredive me probleme për këto lloje kredish ishin përkatësisht 6.5%, 5.9% dhe 5.3%”, thotë banka në raportin e gjashtëmujorit.
Për të shmangur rritjen e kredive me probleme bankat po tregohen më të kujdesshme në kredidhënie, duke shtrënguar kushtet sidomos për qytetarët, në mënyrë që të mos rrezikojnë për një tjetër rritje të kredive me probleme.