Juljan Haxhiu

Probleme me kredinë e butë, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Juljan Haxhiu

18 Shtator, 21:53| Përditesimi: 18 Shtator, 21:57

  • Share

Komisioneri Publik, Irena Nino ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA) vendimin e KPK-së për gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Julian Haxhiu, ku kërkon shkarkimin e tij nga detyra.

Gjyqtari Julian Haxhiu u konfirmua më 7 Qershor në detyrë më shumicë votash të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK). Trupa u nda në vlerësimin përfundimtar për shkak të problemeve me pasurinë, ku kryesuesja Alma Faskaj dhe relatorja Pamela Qirko i gjetën bindëse shpjegimet e subjektit, ndërsa anëtarja Xhensila Pine në pakicë çmoi se Haxhiu gjendet në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia, për arsye të veprimeve fiktive të kryera për kredinë e butë.

Vendimi i KPK-së për të konfirmuar Haxhiun është gjetur i padrejtë edhe nga Komisionerja Publike Nino.

Në ankimin për këtë çështje Nino kërkon shkarkimin e Haxhiut.  

“Ndryshimin e vendimit nr. 773, datë 7.6.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Juljan Haxhiu”, thuhet në ankimim.

Në argumentet e paraqitura nga Nino, vë në dukje se Haxhiu dukej që kishte përfituar kredinë e butë edhe pse nuk i përmbushte kushtet për përfitimin e saj.

“Transaksionet e sipërcituara të kryera nga subjekti, në vitin 2013, konfirmojnë jo vetëm faktin e posedimit të pandërprerë të kësaj pasurie nga ana e subjektit të rivlerësimit që nga viti 2007, por dhe fiktivitetin e veprimeve ligjore të kryera mes palëve, pasi ato rezultojnë se janë kryer vetëm për t’iu paraqitur bankës në funksion të përfitimit të kredisë me kushte lehtësuese”, thuhet në ankimin e Ninos.

Komisioneri Publik argumenton se veprimet e kryera nga subjekti i rivlerësimit, në funksion të përfitimit të kredisë me kushte lehtësuese, për qëllim përfitimin financiar, janë në kontradiktë me sjelljen që pritet nga një gjyqtar.

Po ashtu Komisioneri Publik  gjen problematike mosdeklarimin e një sipërfaqeje toke nga ana e Haxhiut.

Juljan Haxhiu përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Mirditës. Ai u transferua në Gjykatën e Lezhës në vitin 2008 dhe prej 2011-ës e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës.

Ankimimi i Komisinerit Publik (PDF)

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?